Drecun paralajmëron padi nga Gjykata Speciale për Ramush Haradinajn, Sami Lushtakun dhe të tjerë

Drecun paralajmëron padi nga Gjykata Speciale për Ramush Haradinajn, Sami Lushtakun dhe të tjerë

Kryetari i Grupit Punues për Krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Milovan Drecun, ka thënë se ka të paktën 159 kampe të kontrolluara nga UÇK-ja në Kosovë dhe Shqipëri, për të cilat Grupi i Punës kishte dokumentacion të saktë, transmeton Insajderi.

Sipas tij, disa prej tyre nuk u bënë pjesë e aktakuzës së Gjykatës Speciale në Hagë, dhe bazuar në to, po pret padi të reja.

“Ne i ndamë ato kampe të fshehta, të paligjshme në zonat e përgjegjësisë së UÇK-së, për të kapur ata që janë përgjegjës dhe që i kontrolluan ato. Ka njerëz që kanë drejtuar ato kampe ku torturuan dhe vranë njerëz, dhe ka përgjegjësi komanduese të komandantëve të atyre zonave operacionale të UÇK-së, sepse burgjet ishin të vendosura në territorin e tyre”, tha Drecun për Kosovo Online.

Drecun tutje thotë se zonat operacionale të UÇK-së janë në Shalë, Drenicë, Nerodime, Pashtrik, Dukagjin dhe Karadak, bashkë me vendet në veri të Shqipërisë, madje edhe përmend emrin e Ramush Haradinajt, Rrustem Mustafës, Sami Lushtakut e disa të tjerëve, duke thënë se ishin komandantë të këtyre zonave.

“Ekzistonin 10 kampe në zonën operative Lab të UÇK-së. Komandant ishte Rustem Mustafa, i njohur si Remi. Kishte 13 kampe në zonën e Shalës, komandant i të cilëve ishte Rahman Rama. Kishte 16 kampe në zonën e UÇK-së Drenica, dhe komandant ishte Sami Lushtaku. Ndërkaq, ne regjistruam 18 burgje të paligjshme në zonën Nerodimë , të cilat ishin nën komandën e përgjegjësisë së Shukri Bujës. Kur bëhet fjalë për zonën operacionale të UÇK’së në Pashtrik, aty kishte më së shumti kampe, 37 sosh, dhe komandant ishte Ekrem Rexha. Në zonën operative Dukagjini, kishte 33 kampe, ku ishte nën udhëheqjen e Ramush Haradinajn. Në zonën e UÇK’së në Karadak, kishte 26 kampe dhe komandant ishte Isuf Ahmeti, i njohur si Rexha”, tha Drecun.

Ai deklaroi se padi të reja mund të ndodhin, bazuar në dokumentacionin mbi ato kampe. /Insajderi.com