Drejtësia politike, e mundi politikën me drejtësinë

Drejtësia politike, e mundi politikën me drejtësinë

Nga Mero Baze:

 

Debati mbi anulimin e takimit Kosovë- Serbi në Shtëpinë e Bardhë, ka devijuar tek fakti i përdorimit të Gjykatës Speciale për qëllime politike. Dhe nuk është se dyshimet janë të pabazuara

Deklaratat e shumë diplomatëve perëndimorë, kanë filluar ta trajtojnë normale përdorimin e Gjykatës Speciale për të prishur takimin e Uashingtonit, si një mënyrë që sipas tyre, Hashim Thaçi të mos merrte garanci politike për gjykimin

Për fat të keq, këtë e kanë thënë disa diplomatë me emër dhe nga ata që janë marrë me çështjen e Kosovës

Ky debat është e vetmja mënyrë që drejtësia të dëmtohet përgjithnjë. Dhe këtu kam parasysh dhe përgjegjësinë e disa liderve të UÇK, për akuzat ndaj tyre

Kjo histori nis qysh me pranimin prej udhëheqësve të pamësuar të Kosovës, të standartit të formimit të Gjykatës Speciale për Kosovën.

Gjykata Speciale për Kosovën, u pranua nën perceptimin e dështimit të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë. Porjekti i EULEX, thuajse ishte një dështim, që në fakt duhet të turpëronte Perëndimin, por dëmtoi Kosovën.

Liderët kosovarë, nën presionin e hapave të mëtejshëm të Kosovës drejt Perëndimit dhe përgjegjësive të tyre, pranuan Gjykatën Speciale, si një mënyrë që të mos ishin pengesë për bllokimin e Kosovës. Por dhe këtu ata ja besuan Perëndimit statusin e kësaj gjykate.

Standarti që ka Gjykata Speciale e Kosovës për të pranuar një akuzë, është i ndryshëm nga standarti që ka pas gjykata për krimet e luftës në ish- Jugosllavi, apo që ka Gjykata Penale Ndërkombëtare

Ndryshe nga ato, Gjykata Speciale për Kosovën ka standartin që gjyqtari mund të pranojë shumë akuza dhe t’ia lërë gjyqit t’i provojë, ndërkohë që konfirmimi i padisë zyrtare mund të zgjasë me muaj.

Standarti më i ulët është se në Gjykatën Speciale të Kosovës, standarti për të nisur një gjyq, nuk bazohet në prova, por në “dyshime të mirëbazuara”.

Të gjitha këto lëshime, ose më mirë të themi diktime, që i janë bërë palës kosovare për Gjykatën, kanë ardhur nga histori të dështimit të drejtësisë në Kosovë dhe historitë e zhdukjes së dëshmitarëve për disa raste të tjera.

Politikanët e Kosovës i kanë pranuar këto së pari në kushtet e padijes, por dhe të presionit. Tani ky standart është i tillë që e bën atë Gjykatë të përdorshme politikisht.

Është kjo arsyeja që diplomatët më në zë të Perëndimit po e trajtojnë dështimin në Uashington, me qetësi, si të siluruar nga Gjykata Speciale për Kosovën. Ata kanë qenë të qartë që kjo Gjykatë është një mekanizëm politik, pasi liderët e Kosovës e kanë pranuar vetë si të tillë.

E vërteta është se ata nuk e dinë as vet çfarë kanë pranuar, por tani, me këtë që ndodhi, është e sigurt që të gjithë janë të shantazhuar dhe bisedimet për Kosovën më shumë se sa Trump apo Merkel, i vendos një gjyqtar i Hagës.

Dhe ky është dështimi më i madh i së drejtës në Kosovë, dhe alibia më e madhe dhe e atyre që janë vërtet përgjegjës për krime.

Pas kësaj, arroganca e Grenellit, apo sharlatanizmi i Boltonit, duken si filma vizatimorë, para njoftimit për shtyp të një prokurori.

Mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë kurrë dhe është mirë të mos ketë, një marrëveshje të nënshkruar nga liderë nën shantazhin e kësaj gjykate. Çdo përpjekje për ta modifikuar objektivin e një takimi të dytë, është thjeshtëtërheqje me takt nga marrëveshja.

Mënyra si Gjykata Speciale hodhi në erë takimin, provoi  që drejtësia politike, e mundi politikën me drejtësinë.

Ndaj për paqen duhet të presim njerëz që nuk janë subjekte të drejtësisë. Vetëm kjo e bën të pavlefshme përdorimin politik të Gjykatës Speciale për Kosovën.