Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermane kërkon nga qeveria mbështetje për sektorin privat

Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermane kërkon nga qeveria mbështetje për sektorin privat

Nora Hasani, drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermane të Kosovës, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës mbështetje për sektorin privat të ekonomisë.

Hasani ka thënë sot se Oda Ekonomike Gjermane në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane, Klubin e Prodhuesve dhe EIC, kanë kërkuar mbështetje për sektorin privat në vlerë prej 5 për qind të bruto produktit vendor të Kosovës.

“Sot paskan dalë pagat në sektorin publik! Ndërsa për sektorin privat nuk ka akoma asnjë veprim konkret për ta ofruar një pako financiare në mbështetje të kompanive që të mund të mbijetojnë”, ka shkruar drejtoresha e OEGJK. 

“Bashkë me OEK, AmCham, Klubin e Prodhuesve dhe EIC kemi kërkuar mbështetje në vlerë prej 5% të bruto produktit vendor të Kosovës për fazën e emergjencës dhe rimëkëmbjes, në mbështetje të sektorit privat”, ka thënë ajo.

Hasani ka deklaruar se mbështetja për bizneset do të shërbente për mbulimin e obligimeve mujore të firmave private, të cilat kanë pësuar një goditje të fortë gjatë kësaj situate emergjente me koronavirus.

“Kjo pako financiare do të shërbente për mbulimin e obligimeve operacionale të bizneseve, përfshirë pagesën e pagave, qirave dhe shpenzimeve operative, por edhe për shtimin e kapitalit dhe zhvillimin e produkteve financiare të reja të ofruara nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore”, ka thënë Hasani. /Insajderi.com