Drejtorët e larguar nga MASHT-i padisin Qeverinë

Drejtorët e larguar nga MASHT-i padisin Qeverinë

Dhjetë drejtorë dhe udhëheqës të divizioneve në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilët u larguan javë më parë nga pozitat e tyre, e kanë paditur Qeverinë e Kosovës dhe vetë MASHT-in.

Padia të cilën e ka siguruar gazeta është bërë për vlerësimin e ligjshmërisë së rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, shkruan sot Koha Ditore.

Padia është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 23 tetor. Largimin e drejtorëve e të udhëheqësve, MASHT-i e pati arsyetuar si veprim të domosdoshëm të bazuar në rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e miratuar një muaj më parë. Në vend të të larguarve MASHT-i ka emëruar ushtrues detyre.