Drejtori i “Ferronikelit” në arrati, kërkohet për keqpërdorime milionëshe

Shteti maqedonas është në kërkim të Yusuf Mirakhmedov, aksionar i kompanisë “Cunico Resoruces”, e cila ka në pronësi edhe “Ferronikelin” në Kosovë. Ai ka ikur në Uzbekistan. Dyshohet se ka dëmtuar mbi 50 milionë dollarë ndërmarrjen e dikurshme shtetërore maqedonase  “Feni Industries” të cilën “Cunico Resoruces” e kishte blerë nga shteti ngjashëm si “Ferronikelin”.

Drejtori i “Ferronikelit” në arrati, kërkohet për keqpërdorime milionëshe

Yusuf Mirakhmedov, drejtor i “Ferronikelit” në Kosovë, ka telashe të mëdha ligjore në Maqedoni. Ai ka qenë drejtor edhe i kompanisë “Feni Industries” në Maqedoni. Të dy kompanitë janë nën pronësi të kompanisë “Cunico Resources”.

Por, Mirakhmedov nuk është duke ushtruar rolin e drejtorit në asnjërën prej kompanive. Pas akuzave të ngritura nga shteti maqedonas, Mirakhmedov ka lëshuar territorin e Maqedonisë dhe ka ikur në Uzbekistan.

Drejtoria e policisë financiare në Maqedoni ia ka konfirmuar Insajderit arratisjen e Mirakhmedov.

“Personi Yusuf Mirakhmedov është largua nga Republika e Maqedonisë më 28 tetor të këtij viti nga kalimi kufitar, Aeroporti Aleksandri i Madh në Shkup, në destinacionin e fundit Tashkent, Republika e Uzbekistanit”, ka thënë për Insajderin Arafat Muaremi, drejtor i policisë financiare në Maqedoni.

Muaremi ka treguar se Mirakhmedov ka kryer vepra të kundërligjshme, të dënueshme sipas nenit 353 të Kodit Penal të Maqedonisë. Sipas tij, Mirakhmedov ka keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar si drejtor i ndërmarrjes “Feni Industries”.

“Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Publike-Veles”, ka thënë Muaremi.

Ndërmarrja që është dëmtuar nga Mirakhmedov është blerë para disa vjetësh nga kompania “Cunico Resources”, njëjtë siç ishte blerë edhe “Ferronikeli”.

Mirakhmedov, sipas policisë financiare në Maqedoni, dyshohet  se ka dëmtuar ndërmarrjen “Feni Industries”, në vlerë mbi 50 milionë dollarësh.

Paratë, sipas hetuesve, janë përvetësuar nëpërmjet krimit të organizuar nga “Cunico Resource”, kompania që ka në pronësi edhe “Ferronikelin” në Kosovë.

Insajderi ka raportuar muajin e kaluar se pronarët e “Ferronikelit” në Kosovë e kanë zhytur në borxhe ndërmarrjen e tyre në Maqedoni.

Gjiganti metalurgjik në Maqedoni “Feni Industries” është duke shkuar drejt likuidimit të mbikëqyrur nga shteti.

Kompania “Cunico Resources” ka zhytur në borxhe ndërmarrjen maqedonase, duke rrezikuar që të mbesin pa punë mbi 850 veta. Borxhet e minierës së tyre në Maqedoni ndaj kreditorëve kapin vlerën e mbi 60 milionë eurove. Mbi 40 milionë janë borxhe ndaj bankave.

Insajderi ka pyetur menaxhmentin e “Ferronikelit”, në pronësi të “Cunico Resoruces”, për mundësinë e ndikimit të falimentimit në Maqedoni edhe tek ndërmarrja në Kosovë.

Menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje nuk ka dhënë ende përgjigje në pyetjet lidhur me gjendjen financiare të “Ferronikelit”. Po ashtu, menaxhmenti nuk ka dhënë përgjigje se a rrezikojnë të mbesin pa punë mbi 900 punëtorë të “Ferronikelit”, nëse edhe kompania në Kosovë përballet me probleme të ngjashme si miniera në Maqedoni.

Po ashtu, menaxhmenti i “Ferronikelit” nuk ka dhënë përgjigje as në pyetjet se ku gjendet aktualisht drejtori i saj, Yusuf Mirakhmedov.