Drejtori i “Birra Peja” i përgjigjet ambasadorit O’Conell

Drejtori i “Birra Peja” i përgjigjet ambasadorit O’Conell

Ernest Jusufi, drejtor i “Birra Peja”, i është përgjigjur premtimit publik të ambasadorit britanik, Ruari O’Conell, për blerjen e kësaj fabrike.

Ambasadori britanik ka premtuar blerjen kësaj kompanie,  nëse realizohet një dëshirë e madhe e tij.

“Nëse Everton bëhet kampion sivjet, do të blej gjithë fabrikën e birra Peja”, iu përgjigj Ambasadori britanik një qytetari, i cili i kërkoi publikisht që ta qerasë me birrë, nëse ekipi i tij i preferuar shpallet kampion i Premier Ligës.

Mirëpo, drejtori i “Birra Peja” është skeptik që ky transaksion do të realizohet.

“Do ta presim përfundimin e Premier Ligës. Por, gjasat janë minimale qe ambasadori britanik ta blej fabrikën. Kjo për shkak që ekipi që simpatizohet nga ambasadori, Evertoni, i ka gjasat minimale që të shpallet kampion”, ka thënë për Insportin  Ernest Jusufi, drejtor i kësaj kompanie.

Ai ka treguar se në Premier Ligë është kundërshtar i ambasadorit O’Conell. Jusufi është fans i Liverpolit.  Jusufi beson se ekipi i tij do të bëhet kampion dhe i ka bërë një premtim publik ambasadorit britanik.

“Gjasat janë që kampion do të shpallet Liverpuli. Nëse kjo ndodh, atëherë do ta ftojë ambasadorin në birrari dhe do ta qerasë me Birra Peja”, ka thënë Jusufi, duke shtuar se ky skenar i ka gjasat shumë më të mëdha që të realizohet në krahasim me dëshirën e O’Conell për shpalljen e Evertonit kampion./Insporti/