Drejtori i burgjeve, Nehat Thaçi reagon pas skandalit me dëshmitarin Mehmeti

Drejtori i burgjeve, Nehat Thaçi reagon pas skandalit me dëshmitarin Mehmeti

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Nehat Thaçi ka thënë se institucioni që ai drejton është përgjegjës për transportin e të burgosurve, por nuk ka komentuar konkretisht rastin skandaloz që ndodhi të enjten me dëshmitarin e mbrojtur, Shkumbin Mehmetin.

Mehmeti, të enjten, u transportua nga Burgu i Sigurisë së Lartë drejt Gjykatës Themelore në Prishtinë në të njëjtin mjet transportues me Bedri Krasniqin, të dënuarin për vrasjen e dy policëve: Sbahate Tolaj dhe Jusuf Haklaj në vitin 2003, si dhë të dyshuar për vrasjen e dy policëve të tjerë një vit më vonë.

I kontaktuar nga Insajderi, drejtori i burgjeve, Nehat Thaçi ka thënë se ndodhet në një takim dhe ka kthyer vetëm një përgjigje me shkrim. Ka thënë se nëse ka shkelje të procedurave operative, SHKK-ja do të mbajë përgjegjësi për rastin.

“Të lutem jam në takim. Gjithsesi ne kem përgjegjësi për transportin e të burgosurve, dhe mbajm përgjegjësi nëse ka shkelje të procedurave operative. Për më shumë luteni i drejtoheni me email zëdhënësit Z.Florent Gashi”, ka thënë Thaçi për Insajderin, teksa nuk ka folur asgjë më shumë për rastin.

Por, Thaçi nuk e ka mohuar rastin.

Insajderi raportoi sot se Shërbimi Korrektues i Kosovës e ka ekspozuar para një rreziku të lartë, dëshmitarin e mbrojtur, Shkumbin Mehmeti.

Ata e kanë futur Mehmetin në të njëjtin automjet transporti me Bedri Krasniqin, nga Burgu i Sigurisë së Lartë deri në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjatë transportit, dëshmitari Mehmeti, është kërcënuar nga Bedri Krasniqi, i dënuar me 27 vjet burgim për vrasjen e dy policëve: Sabahate Tolaj dhe Jusuf Haklaj, i dënuar për rrëmbimin e biznesmenit Azem Morina, si dhe i akuzuar për vrasjen e dy policëve të tjerë më 2004.

Krasniqi i ka thënë Mehmetit se “e di ku e ke familjen dhe e di adresën”, si dhe ka shtuar: “Nëse vazhdon të dëshmosh do të kesh pasoja”.

Në momentin që dëshmitari është futur në Gjykatë, ai ka kërkuar që procesi gjyqësor të shtyhet dhe të definohet statusi i tij; nëse është dëshmitar, apo në çfarë cilësie ishte ftuar.

Dëshmitari Mehmeti, në Gjykatë, ka deklaruar se gjithmonë gjatë transportit të tij nga burgu në spital apo në vende të tjera, i është veshur jelek anti-plumb. Ndërkaq, sot kur është futur në mjetin transportues me Bedri Krasniqin, atij nuk i kishin veshur jelek anti-plumb.

Mehmeti është ndjerë i kërcënuar dhe seriozisht i rrezikuar, sepse shteti e ka ekspozuar para një rreziku të lartë.

Insajderi mëson se Bujar Qadraku ka qenë shef i ndërrimit që ka organizuar transportin e dëshmitarit Mehmeti dhe Bedri Krasniqit në një automjet.

Transportimin e Mehmetit dhe Krasniqit me një automjet, e ka konfirmuar për Insajderin edhe Besian Syla, avokati i dëshmitarit të mbrojtur, Shkumbin Mehmeti.

Ai ka thënë se transporti i të dyve është bërë me të njëjtin automjet dhe se klienti i tij është ndjerë i kërcënuar shkaku i këtij fakti.

Shkumbin Mehmeti vuan një dënim prej 30 vjetësh për vrasjen e dy policëve, njëri i UNMIK-ut dhe njëri i Kosovës, pas një shkëmbimi zjarri afër Podujevës. Ai po ashtu është dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale.

Për më shumë, lexoni artikullin:

Skandaloze: Shteti ekspozon para rrezikut dëshmitarin e mbrojtur, Shkumbin Mehmeti