
Mbrëmjen e së enjtes Fiks Fare denoncoi se Zv. drejtori i policisë së Korçës ka në përdorim të tij një automjet të sekuestruar dhe me targa false. Automjeti që përdor zv/drejtori Alfred Nomani është i tipit BMW X6, ngjyrë e bardhë ,me targa AA 303 CC. Këtë makinë e shikon të parkuar çdo ditë para ndërtesës se Drejtorisë së Policisë Korçë.
Të gjithë qytetarët e Korçës e njohin makinën e shefit të policisë, madje kur i pyet nëse e dinë se e kujt është makina e luksoze para drejtorisë se policisë, përmendin zv/drejtorin e policisë së Korçës. Por gazetarët e Fiks Fare nuk u mjaftuan me aq ,duke verifikuar targat që kjo makinë mbante, nga ku rezultoi se targat i përkisnin një tjetër tip automjeti.
Targat AA302CC janë targat që i përkasin një automjeti tjetër, tip SEAT CORDOBA, prodhim i vitit 2001 dhe që është në pronësi të një qytetari nga fshati Rrëmbeç i Korçës.
Gazetarët e Fiks Fare kontaktuan me pronarin e makinës, të cilës i përkasin targat me të cilat lëviz zv/drejtori i policisë.
Ai tregon se makinën tip Seat i biri e ka shitur tek një servis automjetesh për pjesë këmbimi. Pyetjes së gazetarit nëse makina është çregjistruar, babai i pronarit të makinës i përgjigjet se automjeti është ende në sistem, pasi makina figuron me siguracion dhe taksa të paguara deri në muajin janar 2019. Në këto kushte gazetarët e Fiksit i kërkojnë që t’i blejnë ato targa. Zotëria pas kërkesës së bërë flet më të birin në telefon për ta pyetur për targat e makinës tip SEAT-it.
Në bisedën e kryer midis të dyve në telefon i biri i pohon se targat e Seat-it ia kishte marrë nga makina tjetër shefi i policisë se Korçës. Ia kishte parë në makinë dhe në mënyrë shoqërori ia ka marrë. Kur gazetarët e pyesin se kush është ky shef, ai përgjigjet “Nuk na intereson ajo punë. Targat ia kemi dhënë në mënyrë shoqërore, është gjë pa zarar”./TCh.