Drejtuesi i organizatës serbe në Kosovë: Ushtria serbe po dobësohet

Drejtuesi i organizatës serbe në Kosovë: Ushtria serbe po dobësohet

“Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë” (QKSS) në bashkëpunim me organizatën nga veriu i Mitrovicës, “New Social Initiative” ka organizuar sot konferencën me temën “Ushtria e Kosovës: Për kë dhe për çfarë” e cila është mbajtur në Graçanicë, ka nxjerrë në pah qëndrimin se serbët e Kosovës nuk e duan ushtrinë e vendit.

Por ka nxjerrë në pah një tjetër qëndrim befasues.

Sipas përfaqësuesit të Qendrës për Paqe dhe Tolerancë, Nenad Maksimović, ushtria serbe nuk është ashtu siç ka qenë në të kaluarën dhe trendi tregon që ajo është në rënie dhe duke u dobësuar.

Sa i përket çështjeve të brendshme të Kosovës, Maksimović ka ndarë pikëpamjen se institucionet e Kosovës po merren me tema të mëdha siç është transformimi i FSK-së duke lënë në plan të dytë zhvillimin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe sundimin e ligjit.

Në këtë drejtim, ai është shprehur se ndërtimi i ushtrisë do të mund t’i kushtojë shumë buxhetit të Kosovës dhe në vend të kësaj, sipas tij, është më mirë të forcohen institucionet ekzistuese sesa të investohet në ushtri.

Ai gjithashtu ka shprehur qëndrimin e tij se serbët në Kosovë nuk kanë asnjë dobi nga themelimi i ushtrisë së Kosovës duke potencuar se perceptimi i shumicës së serbëve në Kosovë është se nuk ndihen të sigurt në Kosovë.

Sipas tij, nuk ekzistojnë argumente të cilat do t’i bindnin serbët për të dhënë pëlqimin e tyre në lidhje me transformimin e FSK-së në ushtri.

Ai ka thënë se nuk qëndron argumenti se ushtria e Kosovës duhet të themelohet për shkak të një sulmi të mundshëm të Serbisë kundër Kosovë.

“Në Kosovë kemi përgjegjës për siguri KFOR-in ose NATO-n. Nuk ekziston mundësia teorike që ushtria serbe të mund të kalojë në territorin e Kosovës pa miratimin paraprak të NATO-s ose të përleshet me NATO. Argumenti që Serbia do të mund të rrezikonte Kosovën nuk bazohet në realitet”, ka theksuar Maksimović.

Drejtori ekzekutiv i QKSS-së, Florian Qehaja, ka theksuar se pavarësisht mendimeve dhe pozicioneve të ndryshme për këtë temë duhet të diskutohet hapur për të ditur se cili është pozicioni i të gjitha palëve në proces, përfshirë komunitetin serb në vend.

“Qëllimi është formimi i një institucioni të sigurisë dhe QKSS avokon që ushtria të jetë shumetnike. Në bazë të një vlerësimi, FSK-ja është gati të plotësojë kuotën e përfaqësimi etnik e cila parashihet të jetë diku rreth 10 përqind. Por, ne nuk avokojmë vetëm për kuota, por edhe kushte për minoritete me mundësi për të marrë pjesë në trajnime jashtë vendit dhe për të avancuar në karrierë brenda FSK-së”, ka deklaruar Qehaja.

Ai ka përmendur argumentet pse duhet të themelohet ushtria duke potencuar se KFOR-i nuk do të qëndrojë përgjithmonë në Kosovë. Për këtë arsye shtrohet nevoja e zëvendësimit të rolit të KFOR-it nga ushtria e Kosovës, ndonëse kjo do të marrë kohë deri në dhjetë vite për marrjen e kapaciteteve të plota. Argument tjetër shtesë është zhvillimi i pronësisë vendore, gjegjësisht qytetarët e Kosovës duhet të bëhen pronarë të sigurisë me qëllim që mos të jemi vetëm konsumues të sigurisë nga të tjerët./Insajderi.com