Drita mposht Drenicën në Skenderaj, ruan kreun e tabelës

Drita mposht Drenicën në Skenderaj, ruan kreun e tabelës

Në javën e 17-të në Superligën e Kosovës në futboll, Drenica ka pësuar humbje të pastër 3:0 në “Bajram Aliu” nga kampioni aktual Drita, njofton Insajderi.

Që në fillim të ndeshjes, miqtë nga Gjilani e kishin bërë të qartë se në Skenderaj kishin udhëtuar për të arkëtuar pikë të plota.

Në minutën e 28-të të ndeshjes, Drita rrezikoi seriozisht për herë të parë Drenicën, por goditja e Shabanit përfundoi jashtë porte.

Këmbëngulësia e mysafirëve dha rezultat në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, ku Ajzeraj përfitoi bukur nga një harkim i Limanit. Me epërsi minimale për gjilanasit u mbyllë fraksioni i parë i ndeshjes.

Pjesa e dytë ishte ajo që do të prodhonte edhe dy gola tjerë për mysafirët, ndërsa ekipi i drejtuar nga Devolli, ishte i pa fuqishëm të bënte diçka më shumë.

Pas vetëm tre minutash sa kishte filluar pjesa e dytë, Drita dyfishoi rezultatin me golin e shënuar nga pika e bardhë, autori i të cilit ishte Gërbeshi.

Drita shënoi edhe një gol tjetër, Haxhimusa shënoi kësaj radhe, kur po zhvillohej minuta e 90-të e ndeshjes. Kështu duke vendosur epilogun final në këtë takim.

Me këtë fitore, Drita ngritët në kuotën e 39 pikëve duke kryesuar Superligën, ndërsa Drenica ndodhet në vendin e tetë me 18 pikë. /Insajderi.com