Drita përmbys Gjilanin, fiton derbin lokal

Drita përmbys Gjilanin, fiton derbin lokal

Në derbin e javës së 15-të në Superligë, në ndeshjen e zhvilluar në “Stadiumin e Qytetit” në Gjilan, derbi lokal mes Dritës dhe Gjilanit, i ka takuar mysafirëve të Dritës, të cilët fituan ndeshjen me përmbysje të rezultatit, njofton Insajderi.

Darko Nikaç shënoi golin e parë në këtë ndeshje pas vetëm shtatë minutash lojë, duke kaluar në epërsi Gjilanin. Mirëpo, miqtë barazuan rezultatin më anë të Namanit, i cili shënoi në të 26-tën minutë. Në anën tjetër, tre minuta para se skuadrat të shkojnë në pushimin mes dy pjesëve, në skenë doli përsëri Nikaç, duke shënuar golin e dytë personal në takim, kështu duke rikthyer në epërsi Gjilanin, me rezultatin 2:1 për nikoqirët u mbyllën 45’ minutat e parë të takimit.

Drama e ndeshjes, u zhvillua në pjesën e dytë, ose më saktë në minutat e fundit të ndeshjes.

Një minutë para mbylljes së kohës së rregulltë, Fazliu barazoi shifrat në 2:2, ndërsa në minutën e 90-të, Haxhimusa çoi në dëlirë bankën e Dritës, duke shënuar golin e fitores, gol i tre pikëve të rëndësishme, për më tepër kundër rivalit të qytetit.

Me këtë fitore, Drita shkon në 30 pikë të grumbulluara në vendin e dytë, ndërsa Gjilani mbetet në 23 pikë në vendin e katërt në tabelë. /Insajderi.com