Dua Lipa e konfirmon se ka dhënë donacion për të prekurit nga tërmeti – këngëtarja merr edhe një iniciativë tjetër

Dua Lipa e konfirmon se ka dhënë donacion për të prekurit nga tërmeti – këngëtarja merr edhe një iniciativë tjetër

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa tashmë e ka konfirmuar që ajo bashkë me familjen e saj kanë dhënë donacione për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

Me anë të një imazhi ajo i ka treguar dashamirëve të saj që sot festohet 28-të nëntori, dita e flamurit shqiptar derisa ka përmendur edhe goditjet nga tërmeti që ka pësuar Shqipëria e ku kanë humbur jetën me dhjetëra persona, shkruan Insajderi.

Lipa ka përmendur që pos donacionit që ka dhënë ajo me familje, tashmë ka nisur iniciativën e re bashkë me dy persona të tjerë për të nxjerrë në shitje materiale ku 100% të të ardhurave do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti.

© Dua Lipa [instagram]

Ndonëse ka rrjedhur informacioni se Lipa ka ndarë 1-milionë euro për ngjarjen në Shqipëri, një shumë e tillë nuk është konfirmuar ende, ndonëse me këtë postim këngëtarja ka pranuar se ka dhënë donacion, por shumën s’e ka bërë të ditur.

Ky 28 Nëntor, Dita e Flamurit tonë Kombëtar, na gjen neve në mes dhimbjes për jetët e humbura nga tërmeti shkatërrues në  Shqipëri dhe mes të qenurit krenarë me solidaritetin  që vëllezërit dhe motrat tona nga Kosova dhe kudo në botë po tregojnë përballë kësaj tragjedie.

Si gjithmonë, ne të gjithë jemi bashkuar dhe të gjithë po shikojmë mënyrat më të mira për t’u dal në ndihmë familjeve të prekur, fëmijëve të cilët kanë humbur prindërit e tyre, dhe shokëve që po mundohen të gjejnë njëri-tjetrin dhe për të qenë pranë më të dashurve të tyre.

Çdo çast i humbur duket sikur një çast i vonuar për rritjen e ndërgjegjësimit të botës për këtë tragjedi, dhe kjo është arsyeja pse nuk mund të pres më gjatë se kaq.

Përveç donacioneve personale, timit dhe të familjes sime, po bëhem pjesë e ekipit me shokët e mi Kujtimin dhe Arbenin nga @bond.nyc për të krijuar materiale që do të shiten kudo në botë dhe 100% të të ardhurave do të shkojnë drejt familjeve të prekura nga tërmeti në Shqipëri.

Të gjitha të ardhurat do të shkojnë direkt në llogaritë zyrtare të Qeverisë së Shqipërisë me të cilët kemi qenë në kontakt nëpërmes shokëve tonë në Prishtinë.

Ne kemi treguar se sa të fuqishëm jemi dhe në çaste të tilla ne bëhemi bashkë si komb i vëllezërve dhe motrave TË BASHKUAR.

Lutemi për Shqipërinë dhe për jetët e humbura. Bashkoju mënyrës më të mirë për t’i ndihmuar kauzës ose bëje tënden. Gjithmonë është koha e duhur!” – ka qenë përshkrimi që Dua Lipa i ka vënë imazhit ku shihet Kosova duke e puthur në ballë Shqipërinë.

/ © Insajderi /