Dua Lipa: Shpresoj të kthehem në frymëzim për fëmijët nga Kosova

Dua Lipa: Shpresoj të kthehem në frymëzim për fëmijët nga Kosova

Këngëtarja Dua Lipa ka pak kohë që publikoi albumin e ri “Future Nostalgia”, ndërsa nuk do të tërhiqet nga ajo që beson, shkruan NME.

Më 23 mars, Dua hyri ‘live’ në Instagram dhe iu drejtua fansave të saj nga Londra, për të folur rreth pandemisë.

Mes lotësh, ajo foli për albumin e ri dhe tha “Ndjehem sikur jam përmirësuar shumë gjatë dy javëve të fundit vetëm për shkak të pasigurisë për gjithçka.”

Dua publikoi albumin para kohës që e kishte paralajmëruar, ani pse ishte në mëdyshje nëse duhej ta lansonte në këtë kohë.

Si shumica e njerëzve, edhe Dua po qëndron e mbyllur, ndërsa po shijon suksesin e albumit “Future Nostalgia”.

Këngëtarja tha se është e lumtur për pritjen që po i bëhet albumit dhe thekson se është si diçka që mund të ndihmojë në kohërat tona të errëta.

Edhe kësaj radhe, ajo përmendi komentet negative që qarkullojnë në rrjete sociale, e që e sheh si dukuri mjaft negative.

Ajo rrëfeu të kaluarën dhe vështirësitë që hasi rrugës prej kur u zhvendos në Londër, deri në këtë pikë ku është tani.

Dua e sheh veten si artiste që përfaqëson Britaninë dhe Kosovën, ndërsa shpreson të bëhet frymëzim për fëmijët në Kosovë.

“Shpresoj të frymëzoj edhe disa fëmijë në Kosovë të dinë se mund të bëjnë gjithçka që ata mendojnë – gjithçka është e mundur , pa marrë parasysh se ku jeni”, tha ajo.

Fondacioni Sunny Hill, të cilin ajo e formoi me familjen e saj në Prishtinë në vitin 2016, synon t’u japë të rinjve një shtytje drejt zhvillimit të karrierës.

Kjo organizatë bamirëse punon për të përmirësuar cilësinë e jetës për kosovarët, me një fokus në zgjerimin e mundësive të vendit në art dhe kulturë. Vitin e kaluar organizata iu bashkua një shkolle në Los Angeles për të siguruar një bursë mujore për tre studentë.

Në të ardhmen e saj, Lipa dëshiron të përdorë privilegjin e saj për të ndihmuar të tjerët.

Ajo planifikon të zhvillojë Fondacionin Sunny Hill duke hapur një qendër arti dhe inovacioni në Prishtinë (megjithëse planet janë vonuar nga pandemia e tanishme) dhe duke vazhduar të mbajë festivalin e saj vjetor në qytet (ku Miley Cyrus këndoi vitin e kaluar).

Dua gjithashtu dëshiron të punojë me bamirësi të ndryshme “veçanërisht në krizën e refugjatëve” dhe synon të fillojë themelimin e label-it të saj “për të ndihmuar artistët e rinj”

Dua Lipa përfundoi duke thënë se koronavirusi na ka dhënë disa mësime dhe bota do të ndryshojë pas kësaj.