Dy aksidente fatale, Policia apelon të mos përdoren telefonat mobilë gjatë vozitjes

Dy aksidente fatale, Policia apelon të mos përdoren telefonat mobilë gjatë vozitjes

Policia njofton se gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur dy aksidente të rënda të cilat kanë rezultuar me pasoja fatale, ku tre persona kanë humbur jetën.

Me qëllim të parandalimit të aksidenteve të mundshme në trafik Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët e vendit, që të respektojnë dispozitat ligjore që dalin nga ligji për rregullat e trafikut rrugor, të respektojnë shenjat e trafikut, kufizimet e shpejtësisë, t’u përshtaten kushteve të rrugës, si dhe të mos e përdorin telefonin gjatë vozitjes.

“Të gjithë drejtuesve të automjeteve u bëjmë thirrje që të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit në rrugë, posaçërisht tani kur kanë filluar ndryshime atmosferike, reshje dhe shfaqje të mjegullave, gjatë natës dhe në orët e hershme të mëngjesit kur mund të paraqiten edhe ngrica të cilat vështirësojnë qarkullimin”, thuhet në apelin e policisë.

Policia e Kosovës me njësitet e saj vazhdon të monitoroj dhe menaxhoj situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik.

Policia paralajmëron se masa ndëshkuese ligjore do të aplikohen me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve, në veçanti aksidenteve me fatalitet.