
Avokati, Aranit Koci dhe Besnik Berisha janë futur në një debat analitik se a është legjitime që të vritet një hajn nëse zihet gjatë sulmit apo jo.
Krejt ky debat është duke u zhvilluar pas vrasjes së hajnit në lagjen Veternik, në Prishtinë ku pronari i një shtëpie e kishte qëlluar për vdekje pasi që e kishte zënë gjatë sulmit ndaj shtëpisë së tij.
Mirëpo për këtë rast të dy avokatët kanë mendime të kundërta me njërin tjetrin, pasi që policia nuk ka arrestuar personin i cili ka qëlluar për vdekje hajnin.
Arianit Koci përmes një shkrimi ka vlerësuar se as hajni e as kushdo tjetër nuk bënë të vritet, përveç në rastet shumë ekstreme.
“Por, ky diskurs është i tejkaluar; mendësi e shekullit të kaluar dhe në një formë po e legjitimon marrjen e drejtësisë në duar të individit. Për më tepër, vrasja e cila ndodhi si pasojë e tentimit të një vjedhje, ende të pasqaruar në rrethana konkrete e faktike, morri bujë në suaza të ndjenjës kanunore. Kjo ndjenjë kanunore, sa fisnike aq edhe treguese e mbetjeve reliktike të mendësisë sonë shoqërore, ka hapur vend e pavend diskutime mbi ngjarjen se si pronari i objektit ku u tentua të kryhet vjedhja, vrau në “vetëmbrojtje” njërin nga pjesëmarrësit e tentativës për realizimin e vjedhjes. Privimi nga jeta e “hajnit” filloi të glorifikohet nga aspekti kanonik, për ta kamufluar edhe juridikisht në zhargonin popullor që njihet si vetëmbrojtje, ndërsa në gjuhën penalo-juridike si mbrojtje e nevojshme”, ka shkruar Koci.
Mirëpo avokati Besnik Berisha ka vlerësim tjetër për këtë. Duke postuar një video ku një nënë mbrohet nga hajnat duke qëlluar për vdekje hajnin, Berisha këtë e quan legjitime.
“Për ata qe akoma kane dilema se si trajtohen ne bote rastet e hyrjes me dhune ne shtëpi te dikujt, po e ndaje me ju një video qe pasqyron dy ngjarje te vërteta ne Amerikë. Ne ngjarjen e pare protagoniste është një grua/nene me foshnjën e saj, e cila me t’u përball me dy sulmues/hajna, njeri i moshës 24 vjeçare, thërret linjën emergjente 911, i njofton për situatën dhe kërkon ndihme, duke ua sqaruar se ne shtëpi është vetëm me foshnjën e saj dhe ka frike se do e pësojnë ndonjë te keqe”, ka sqaruar Berisha.
Kujtojmë se në fillim të kësaj jave një hajn është vrarë nga një banorë i lagjes së Veternik në Prishtinë, pasi që katër hajdut kishin sulmuar shtëpinë e tij.
Policia e Kosovës kishte lënë të lirë personin i cili kishte qëlluar hajnin pasi që kishin vlerësuar se ka qenë në vetë mbrojtje. /Insajderi.com