Dy bashkëpunëtorët e një hiti të padiskutueshëm – Capital T dhe Ardian Bujupi fjalosen publikisht

Dy bashkëpunëtorët e një hiti të padiskutueshëm – Capital T dhe Ardian Bujupi fjalosen publikisht

Një nga përballjet dhe fjalosjet e papritura të këtij viti, padyshim që është ky mes dy artistëve, Ardian Bujupi dhe Capital T, të cilët para tre vjetësh publikuan këngën “Andiamo” që ditëve të sotme numëron mbi 90 milionë klikime, njofton Insajderi.

Capital T i ftuar në emisionin “Gjoni Black me Meriton Mjekiqi”, pretendoi se ai është meritor për famën që Bujupi gëzon sot në trojet shqiptare, ndonëse ai ishte i mirënjohur në Gjermani, ku edhe jeton.

“Ardiani është shumë djalë i mirë por fatkeqësisht nuk e ka treguar maksimalisht veten si mirënjohës për këtë bashkëpunim [Andiamo]. S’ia ka ditur vlerën aq shumë sa realisht i ka dhënë input në karrierën e tij”.

“Atë kohë kur ka qenë “Andiamo”, hit më të madh s’ka pas Ardiani. Pas asaj ka bërë këngë të mira, ka bërë hite të tjera. Jo vetëm atij, edhe mua ma ka dhënë një ‘push’, por atij definitivisht ia ka dhënë një ‘push’ më shumë në tregun shqiptar. S’ka qenë duke mbajt aq shumë koncerte, s’ka pas hite në tregun tonë”, u shpreh reperi gjatë intervistës.

Deklarata e tij bëri bujë në media sociale, me ç’rast reagoi edhe artisti i lartpërmendur, Ardian Bujupi.

Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, ai shkroi, “Nëse ja nisim me këtë punë vlla, mos fol pas shpine por hyjmë live edhe i shprehim senet, sukseset edhe meritat e kujt kanë qenë këngët etj etj”.

Këtij reagimi Capital T iu përgjigj duke ri-postuar shkrimin e Bujupit ku dhe ishte i etiketuar.

“Mas shpine nuk është në emision live me fol, po është publikisht. S’jam prej atyre që flas mas shpine. Ti nëse don me fol, e flasim qysh dush ti”, shkroi Kapo.

Kjo përgjigje është pasuar nga një tjetër përgjigje e Ardianit, i cili e sheh si më të rrugës, që dyshja të kyçen live bashkë, transparent para ndjekësve të të dyve, për të sqaruar njëherë e mirë, gjithë fjalosjen e sotme.

“Nuk mi the këto fjalë kurrë në fytyrë, nuk e kuptoj planin tënd. Ama shkojna live sonte dhe i shprehim”, shkruan Ardiani, duke lënë kështu një ‘takim’ për t’u sqaruar.

Deri më tani, kërkesës për një termin takimi, Capital T ende nuk i është përgjigjur. /Insajderi.com