Dy ditë pas arrestimit të mikut të Enver Hoxhajt, nënshkruhet marrëveshja për esktradim me SHBA-të

Dy ditë pas arrestimit të mikut të Enver Hoxhajt, nënshkruhet marrëveshja për esktradim me SHBA-të

Dy ditë pas arrestimit të Imer Shahinit, kunatit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë nënshkruar sot protokollin për Marrëveshjen e Ekstradimit mes dy vendeve. 

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, z. Matthew Palmer, kanë nënshkruar sot protokollin e instrumenteve të Ratifikimit të Marrëveshjes së Ekstradimit në mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministri Tahiri ka theksuar se ky nënshkrim shënon një rast historik për marrëdhëniet dypalëshe në mes dy vendeve në fushën e bashkëpunimit juridik.

Kjo marrëveshje është nënshkruar dy ditë pas arrestimit të Imer Shahinit, vëllait të Remzie Shahini-Hoxhës, gruas së zv/kryeministrit Enver Hoxhaj, i cili kërkohet nga FBI-ja amerikane nën akuzat për mashtrim milionësh.

Shahini është në mesin e shtatë personave të akuzuar nga FBI-ja për përfitim të jashtëligjshëm dhe mashtrim në Distriktin Jugor të New York-ut. Kosovari, në bashkëveprim me gjashtë persona të tjerë, disa prej tyre tashmë të arrestuar, akuzohen se ilegalisht kanë përfituar 20 milionë dollarë përmes mashtrimeve.

Aksioni i Policisë së Kosovës, i cili nisi me arrestimin e Imer Shahinit të martën, ka vazhduar edhe të mërkurën.

Një ditë pas arrestimit të Shahinit, Policia ka arritur të arrestojë edhe Binak Gjergjajn dhe Ramiz Borduniqin, po ashtu të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Ekskluzive: Arrestohet miku i Enver Hoxhajt – pritet të ekstradohet në Amerikë

Binak Gjergjaj, nga Klina, dyshohet për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të gruas së tij në Amerikë, disa vite më parë, raporton Insajderi.

Ndërkaq, Ramiz Borduniqi, akuzohet nga autoritetet amerikane për mashtrime milionëshe me trafikim të narkotikëve.

Imer Shahini, i cili është kunati i zv/kryeministrit Enver Hoxhaj, prej disa vitesh është kthyer në vendlindjen e tij dhe banonte në Prishtinë prej më shumë se gjashtë vitesh.

Në kryeqytetin kosovar, Imer Shahini figuron të jetë bashkëpronar i kompanisë “Dorian & Pan Illyrian Partnership”. Ortaku i tij në këtë firmë është një nga bashkëpunëtorët e tij edhe në skemën e mashtrimeve që e ka hetuar FBI-ja, Jason Woodruff Galanis.