Dy e treta e grekëve kundër marrëveshjes së Prespës

Dy e treta e grekëve kundër marrëveshjes së Prespës

Afro dy të tretat e grekëve kanë mendim negativ për marrëveshjen e ndryshimit të emrit të Maqedonisë, të nënshkruar midis Greqisë dhe Maqedonisë në qershor të këtij viti në Prespë, ka treguar barometri politik për muajin nëntor i agjencisë greke të rejtingut “Public Issue”.

Në këtë anketë bëhet e ditur se mbi 65 për qind e qytetarëve janë shprehur kundër marrëveshjes së Prespës – nga mesi i të cilëve 57 për qind janë deklaruar “plotësisht kundër” dhe tetë për qind “qartazi kundër”.

Gjithsej 17 për qind e të anketuarve janë deklaruar në mbështetje të ujdisë – nëntë për qind “plotësisht”, tetë për qind “qartazi” – ndërsa të pavendosur u shprehën 13 për qind e respondentëve, transmeton “Koha Ditore”. Ndërkaq, pesë për qind e të anketuarve kanë deklaruar se nuk kanë “kurrfarë qëndrimi lidhur me këtë çështje”, ka raportuar agjencia maqedonase e lajmeve MIA.

Kjo agjenci i ka krahasuar rezultatet e anketës së fundit me ato të anketave të korrikut, duke bërë të ditur se dallimi është fare i vogël. Gjatë korrikut të këtij viti, kundër marrëveshjes së Prespës ishin deklaruar 64 për qind e grekëve të anketuar, shifër kjo që është për një për qind më e ulët se sa në anketën e fundit. Në atë kohë, 21 për qind e qytetarëve e mbështetën marrëveshjen, që i bie rreth katër për qind më shumë se sa në nëntor.