Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka vendosur që tashmë pranë tij t’i ketë dy persona që kanë udhëhequr me Agjencinë e Intelegjencës së Kosovës. Ai kohë më parë, e kishte emëruar këshilltar të tij, ish-krye spiunin, Bashkim Smakaj.
Por, duket që ai përveç Smakajt, po dëshiron që në zyrën e tij ta ketë edhe një ish-udhëheqës të AKI-së. Bëhet fjalë për Driton Gashin, i cili deri një muaj më parë kishte qenë drejtor i Agjencisë së Intelegjencës kosovare.
Përmes një konkursi për pozitën e sekretarit në zyrën e presidencës, Gashi prinë ndaj dy kundërkandidatëve të tij, Shpejtim Nishori dhe Isa Lahi.
Se Gashi është duke u favorizuar për këtë post, e kanë pranuar edhe zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike.
“Pas përfundimit të procedurës së konkurrimit kandidatët potencial për procedurë të mëtejme të emërimit për pozitën Sekretar i Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës janë: Driton Gashi, Shpejtim Nishori si dhe Isa Lahi”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të MAPL-së.
Driton Gashi pritet shumë shpejt që ta marrë këtë pozitë brenda presidencës, sidomos kur tashmë dihet afërsia e tij me presidentin Hashim Thaçin
Ai ishte shkarkuar nga posti i drejtorit të AKI-së pas arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq. Shkarkimi i tij ishte marrë nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Menjëherë pas shkarkimit të Gashit, vendin e tij e ka zënë një person tjetër i besueshëm i Thait.
Shpend Maxhuni, dikur drejtor i Policisë, tashmë udhëheq me Agjencinë Kosovare të Intelegjencës./Insajderi.com