Dy ligjvënës amerikan paralajmërojnë rrezik nga ndikimi i Rusisë në Kosovë

Dy ligjvënës amerikan paralajmërojnë rrezik nga ndikimi i Rusisë në Kosovë

Një delegacion i ligjvënësve amerikanë që po qëndron për një vizitë në Prishtinë, siguroi mikpritësit për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj pavarësisë së Kosovës, por në një intervistë për Zërin e Amerikës, paralajmëruan edhe diçka jo fort të mirë: rrezikun e ndikimit rus në Kosovë.

Gjatë vizitës që ishte e para e një delegacioni të përbërjes së re të Kongresit amerikan, ata u takuan me udhëheqës të lartë, ligjvënës dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Ligjvënësi republikan, Peter Roskam dhe ai demokrat, David Price, thanë se janë të shqetësuar për ndikimin rus në Kosovë.

Zëri i Amerikës: A jeni të shqetësuar me ndërhyrjen ruse në Ballkanin perëndimor?

David Price: Po. Përgjigja e shkurtër është po. Mendoj që rritja e ndikimit rus në këtë pjesë të botës dhe në mbarë botën, është burim i një shqetësimi të madh. Nga pikëpamja jonë, Rusia nuk ka arsye të ketë frikë nga Kosova e lirë, e pavarur e demokratike dhe së këndejmi që Serbia të vazhdojë rrugën e saj për t’u bërë pjesë e Evropës, drejt integrimit të plotë ekonomik e politik dhe ky është interes i të dyja vendeve. Dhe Rusia nuk ka arsye që të ndihet e kërcënuar nga kjo. Ata (rusët) përpiqen që të dominojnë vendet në orbitën e tyre, duke ndërhyrë në zgjedhje dhe në gjëra tjera të cilat nuk janë më vend. Vendi ynë dhe e gjithë aleanca perëndimore, duhet të jemi shumë vigjilentë për këtë. Ne jemi të bindur dhe shumë të sigurt që Kosova është e vetëdijshme për rreziqet dhe do të qëndrojë e vendosur, do ta vazhdojë rrugën e pavarur dhe jemi të përcaktuar për ta mbështetur në këtë.

Peter Roskam: Më lejoni të jap një përfundim dhe t’i bëjë jehonë asaj që tha zoti Price, posaçërisht sa i përket rajonit dhe Rusisë. Ne kemi bashkëpunim të ngushtë me vendet tjera që janë nën trysni të madhe nga Rusia dhe ky është Partneriteti për Demokraci i Dhomës së përfaqësuesve. Ne kemi marrëdhënie të ngushta me Ukrainën. Kemi marrëdhënie të ngushta me Gjeorgjinë. Të dyja po përballen me konflikte të ngrira ose agresion të vazhdueshëm por, të dyja qartazi janë përballur me invazion. Këtu ne duam të jemi të qartë se me kë qëndrojmë afër. Ne qëndrojmë me popujt të cilët klithin për liri, ne qëndrojmë me popujt që klithin për vetëvendosje dhe e bëjnë në atë mënyrë që nuk është egoiste, nuk është përjashtuese, por, që në mënyrë përmbajtjesore thotë se ne duam të vendosim për të ardhmen tonë. Dhe kjo tregon pse kjo vizitë në Kosovë është shumë e rëndësishme, sepse Kosova e mishëron atë aspiratë.