Dy mungesat e mëdha të Kosovës për ndeshjen ndaj Lituanisë

Dy mungesat e mëdha të Kosovës për ndeshjen ndaj Lituanisë

​Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) sot ka organizuar konferencë për media në zyre të saj, në prag të ndeshjeve të Dritares së Parë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Në këtë konferencë u konfirmua se Kombëtarja e Kosovës do të ketë dy mungesa të mëdha për ndeshjen e parë ndaj Lituanisë në kualifikimet për Kina 2019.

Për shkak të lëndimeve, Kosovës do t’u mungojnë basketbollistët Erjon Kastrati dhe Shawn Jones.

Trajneri Brad Greenberg thotë se vet pjesëmarrja e Kosovës në këto gara është një arritje e madhe.

““Fakti që Kosova është pjesë e 32 kombëtareve që do të bëjnë gara në kualifikime do të thotë shumë jo vetëm për basketbollin në Kosovë, por edhe për sportin dhe shtetin tuaj në përgjithësi”, tha fillimisht amerikani.

“Kur ktheheni dhe mendoni se para dy viteve nuk keni qenë të pranuar ndërkombëtarisht, ndërsa pas dy viteve po luani në kualifikime me shtete shumë të forta, besoj se kjo tregon më së miri për të arriturat në këtë sport. Verës kemi luajtur në parakualifikime dhe tani ja ku jemi në nëntor, duke luajtur në kualifikime”.

Kombëtarja e Kosovës bën gara në Grupin C së bashku me Lituaninë, Hungarinë dhe Poloninë. Ndeshjen e parë, Kosova do ta luaj si nikoqire, kundër Lituanisë këtë të premte. /Insajderi