Dy të vdekur dhe 15 raste të reja pozitive në Gjilan, Haziri apelon për kujdes te qytetarët

Dy të vdekur dhe 15 raste të reja pozitive në Gjilan, Haziri apelon për kujdes te qytetarët

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në mbledhjen e sotme të Komitetit të kësaj komune për parandalimin e përhapjes së virusit Corona, ka bërë të ditur se dy pacientë nuk kanë arritur t’i bëjnë ballë më gjatë infektimit me këtë virus, ndërsa 15 persona të tjerë kanë rezultuar pozitivë brenda këtyre 24 orëve të fundit.

Pas takimit, Haziri ka thënë se dy pacientë të cilët po hospitalizoheshin në Spitalin e Përgjithshëm, kanë humbur betejën me COVID-19, derisa nga 17 rastet e paraqitura nga IKSHP, dy janë ritestime, e jo raste të reja pozitive.

“Ngushëllime për familjarët për humbjen e më të dashurve dhe do ta kenë solidaritetin tonë. 682 të infektuar janë në total, 468 të shëruar, 186 raste janë aktive, 28 e kanë humbur betejën me COVID, 32 të hospitalizuar dhe për 27 mostra po i presim rezultatet nga IKSHP”, ka thënë ai.

Haziri njoftoi se kanë diskutuar çështjen e varrimeve të personave që ndërrojnë jetë nga Coronavirusi, duke kërkuar nga Qeveria që ta zgjidh këtë problem, sipas protokollit shtetëror.

Ai ka theksuar se brenda pesë muajve ka funksionuar jashtëzakonisht mirë trekëndëshi i bashkëpunimit mes emergjencave civile, profesionistëve shëndetësorë dhe organeve të sigurisë, derisa ka shhtuar se është e paqartë ndalesa e pesë zyrtarëve komunalë, derisa po e kryenin punën së bashku me Policinë e Kosovës.

“Por, kjo çështje fatmirësisht është zgjidhur dhe besojmë në funksionimin e këtij trekëndëshi të partneritetit, në ruajtjen e shëndetit publik. Ky partneritet edhe më tutje mendoj se nuk mund të dëmtohet njëanshëm”, ka thënë Haziri.

Ai ka kërkuar që lojaliteti dhe solidariteti qytetar të rritet në mënyrë që të evitohen masat shtrënguese dhe represive, të cilët mund të vijnë në shprehje nëse nuk zbatohen masat anti-COVID-19.

“Ju ftoj që të dilni në rrugë e në punë me masa mbrojtëse antiCOVID-19. Virusi nuk ka krahë për të fluturuar, nuk i shkon askujt në shtëpi dhe as nuk i del përpara askujt. Por, nëse nuk je i kujdesshëm, mund të infektohesh”, ka thënë Haziri. /Insajderi.com