Dy të vdekur dhe 49 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Dy të vdekur dhe 49 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Dy persona kanë humbur jetën brenda 24 orëve të fundit në Kosovë, si pasojë e infektimit me Coronavirus, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një letre drejtuar qytetarëve, ku tutje ka informuar se edhe 49 persona kanë rezultuar pozitivë, ndërsa 53 qytetarë së fundmi kanë arritur të fitojnë luftën kundër këtij virusi.

Në këtë letër, Zemaj shpreh shqetësimin e tij për sistemin e shëndetësisë në vend, për çka bën thirrje për ish-ministrat e shëndetësisë, por edhe opozitës që në një formë apo tjetrën të jenë bashkëveprues me të në mënyrë që të përmirësojnë shëndetësinë në Kosovë.

“Para disa ditëve, me kërkesën time, kam raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe çdo herë do të jem i gatshëm që raportojë para ligjvënësve në çfarëdo formati sepse duke qenë transparent dhe llogaridhënës, kemi mundësi t’i shohim punët që kemi bërë dhe ato që na presin.

Kjo është një sfidë e madhe që na takon të gjithëve, para së gjithash ne hartuesve dhe zbatuesve të politikave, andaj edhe nëpërmjet kësaj letre drejtuar juve qytetarë të nderuar, ju bëj thirrje ish ministrave të shëndetësisë, por edhe opozitës që në një formë apo tjetrën të jenë bashkëveprues me ne, ta përmirësojmë shëndetësinë e Kosovës”, ka shkruar Zemaj. /Insajderi.com