Dy të vdekur nga shpërthimet në Afganistan

Dy të vdekur nga shpërthimet në Afganistan

Dy shpërthime kanë ndodhur gjatë festimeve publike në qytetin jugor të Lashkarit në Afganistan, duke lënë të vdekur dy persona dhe duke e plagosur guvernatorin e provincës Helmand. Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarët e sigurisë.

Shpërthimet ndodhën në kohën kur po festohej “Dita e Bujqve” në një stadium të hapur, ku morën pjesë rreth një mijë persona.

Sipas një dëshmitari, guvernatori provincial, Mohammad Yasin Khan, ka qenë afër shpërthimeve dhe është larguar shpejt nga vendi i ngjarjes. Nuk dihet saktë se cila është gjendja e tij shëndetësore.

Sipas zyrtarëve të një spitali, dy persona janë vrarë dhe 23 të tjerë janë plagosur. Dyshohet se shpërthimet janë shkaktuar nga mjetet e montuara shpërthyese.

Ky shpërthim nuk është rasti i parë i dhunës gjatë festimeve për ta shënuar vitin e ri tradicional. Të enjten e kaluar, gjashtë persona u vranë dhe 23 u lënduan. Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Shteti Islamik.

Viti i ri tradicional festohet në një pjesë të madhe të Afganistanit, por disa islamistë janë kundër këtyre festimeve, duke thënë që ato janë kundër Islamit, shkruan “Reuters”.