Dy zyrtarët që i goditi ambasadori O’Connell, vazhdojnë të mbajnë pozita të larta

Dy zyrtarët që i goditi ambasadori O’Connell, vazhdojnë të mbajnë pozita të larta

I përfshirë në skandalin e përgjimeve “Dosja e Shefave”, Naser Shala – i njohur me nofkën “Ftyra” – dhe Komandanti i Stacionit të Policisë në Ferizaj, Emin Beqiri, po vazhdojnë të mbajnë pozita të larta në institucionet shtetërore ndonëse emërimet e tyre janë realizuar në baza të dyshimta.

Madje, dyshime për kualifikimin dhe prapavijën e Shalës dhe Beqirit ka ngritur edhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell.

O’Connell ka goditur të dy këta zyrtarë shtetërorë. Ka thënë se rasti i emërimeve të tyre në pozita të larta shtetërore dëshmon për kapjen e shtetit.

“Unë kam investitorë britanikë të cilët duan të investojnë në Ferizaj, por si mund të ulem unë në takim me ta dhe të ju them ‘Mos u brengosni sepse paratë tuaja janë të sigurta në Ferizaj’ kur ne e dimë se njerëzit si këta udhëheqin policinë, dhe kur e dimë që këto lidhje me kriminalitetin vazhdojnë dhe kur sisteme gjyqësore bëjnë gabime dhe nuk ka përgjegjësi për ata gjykatës që janë duke i bërë këto, dhe është një fjalë për këtë: KAPJE E SHTETIT”, ka thënë sot O’Connell, teksa ka vazhduar duke përmendur rastin e Emin Beqirit.

Beqiri, i emëruar Komandant i Stacionit të Policisë së Kosovës në Ferizaj muajin e kaluar, vitin e kaluar ishte përfshirë në një aferë korruptive. Ishte incizuar duke i marrë 100 mijë euro ryshfet disa personave, të cilët dyshohen të kenë qenë familjarë të zyrtarëve të Qendrës për Avokim dhe Diplomaci, një organizatë joqeveritare, e cila kishte të hapur një rast në Gjykatë ku dyshohej për “mashtrim”.

O’Connell: Shteti është kapur – çka t’u them investitorëve kur njerëz si Emin Beqiri udhëheqin Policinë

Ndaj Beqirit, Gjykata e Themelore Prishtinës në vitin 2017 kishte caktuar masën e arrestit prej 30 ditësh pasi që, ai, së bashku me biznesmenin Rrahim Hashimi, dyshoheshin për marrje të ryshfetit. Por, pasi Beqiri kishte kundërshtuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Shtetit, Gjykata e Apelit e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Por, lufta e ambasadorit O’Connell kundër emërimeve të njerëzve të dyshimtë në pozita të larta shtetërore kishte filluar kohë më parë. Ishte bërë e qartë kur kishte goditur edhe Naser Shalën – “Ftyrën”.

O’Connell nuk ishte pajtuar me zgjedhjen e Shalës në Agjencinë për Krahasim dhe Verifikim të Pronave, duke dhënë edhe dorëheqje nga kryesimi i Bordit të Agjencisë së Pronës.

Vendimi i ambasadorit O’Connell ka ardhur pas mospërfilljes nga Kuvendi i Kosovës, që ta emërojë në një pozitë kandidatin që doli më i suksesshmi, bazuar në konkursin të cilin e monitoron ambasada, për pozita publike.

“Fatkeqësisht, Kuvendi ka dështuar të zgjedhë kandidatin e vetëm që kishte plotësuar kriteret e konkursit dhe kështu ka vendosur në këtë pozitë një kandidat që nuk u konsiderua profesional për pozitën”, thuhej në një njoftim të Ambasadës Britanike në Kosovë. /Insajderi.com