Dyshime për keqpërdorime me avance në shëndetësi, nisin largimet nga puna

Dyshohet se një rrjet njerëzish në Agjencinë për Produkte Medicionale dhe Ministrinë e Shëndetësisë kanë keqpërdorur fondin e kësaj ministrie që përdoret për para avance- kryesisht të aplikuara si paradhënie për udhëtime zyrtare. Dyshimet krejt fillestare flasin për një shifër prej 300 mijë eurosh të keqpërdoruara, derisa largimet nga puna për këtë skandal kanë nisur

Dyshime për keqpërdorime me avance në shëndetësi, nisin largimet nga puna

Tri ditë para Viti të Ri 2018 F.K., një zyrtari Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) kishte bërë një tërheqje të parave me arsyetimin “avance” dhe shuma ishte 20 mijë euro. Më 28 dhjetor, kryesisht zyrtarët janë në pushim, e derisa avanci kryesisht aplikohet si paradhënie për udhëtime zyrtare.

Por, nga kodi 206 i kësaj ministrie, një kod që ka afro 500 mijë euro në dispozicion për cdo vit, në vitin 2017 nga ky zyrtar janë bërë shpesh tërheqje për avanc, dhe vlerat nisin prej 3 mijë euro e përfundojnë tek 20 mijë.

Tash po dyshohet se ky fond edhe mund të jetë keqpërdorur.

Insajderi merr vesh se një rast për këto dyshime tashmë është denoncuar në Policinë e Kosovës. Dyshimet,edhe pse krejt fillestare, janë se mund të jenë keqpërdorur afro 300 mijë euro nga një rrjet njerëzish që nisin në Agjencia e Kosovës për Produkte Medicionale  (AKPPM) dhe përfundojnë të Ministria e Shëndetësisë.

Insajderi ka pyetur Policinë e Kosovës për denoncimin e këtij rasti, por të njëjtit pos konfirmimit që i kanë pranuar pyetjet, ende nuk janë përgjigjur në to.

Sipas burimeve të Insajderit brenda Policisë dyshohet se së paku dy zyrtarë të AKPPM-së, zyrtari F.K. i MSh-së dhe një tjetër zyrtar i financave i kësaj ministrie kanë lëshuar dhe aprovuar avance të dyshimta pa autorizimin e zyrtarëve kompetent për këtë punë.

Deri tash as Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur në pyetjet e Insajderit nëse është në dijeni për këtë rast në të cilin në denoncim është përfshirë dy zyrtarë të tyre.

Por, në AKPPM kanë filluar që të merren masat.

Menaxhmenti i kësaj agjencie ka pezulluar nga puna Shefin e Divizionit për Financa, Mendim Sojeva dhe e ka dërguar në Komision Disiplinor shefin e tij, Drejtorin e Financave dhe i Administratës, Sejdë Tolaj.

APMK është organ i pavarur ekzekutiv i Ministrisë së Shëndetësisë me subjektivitet juridik, që ka përgjegjësi ligjore përkitazi me çështjet shkencore dhe teknike që kanë të bëjnë me produktet dhe pajisjet medicinale për përdorim njerëzor.