Dyshimet dhe parandalimet – Si e gjeti Kosovën Koronavirusi

Xheneta Uka

Dyshimet dhe parandalimet – Si e gjeti Kosovën Koronavirusi

Një maskë e thjeshtë për ruajtjen e shëndetit tashmë nuk kushton shumë lirë në Kosovë – madje ka raste edhe që nuk gjendet fare në shitje.

Nga 20 deri në 25 cent sa kushtonin nëpër farmaci, ato tash mund t’i gjeni më çmime astronomike: 2 deri në 3 euro, shkruan Insajderi.

Krejt kjo rritje e çmimit ka ndodh për shkak të përhapjes së virusit vdekjeprurës, të njohur si Koronavirusi, i cili gjenezën e ka në Wuhan të Kinës.

Nga atje virus është shtrirë edhe në shumë vende të tjera të botës – deri tash mbi 2800 persona kanë vdekur, ndërsa mbi 82 mijë janë prekur nga virusi.

Kosova është në mesin e pak vendeve të Ballkanit, por edhe të Evropës, që fatmirësisht deri sot nuk është prekur nga virusi kinez.

Institucionet shëndetësore kanë njoftuar se janë testuar 30 persona si të dyshuar me koronovirus, por që të gjitha mostrat kanë rezultuar negative.

Kosova për herë të parë me këtë virus u “njoftua” më 8 shkurt të këtij viti, kur edhe u paraqit rasti i parë i dyshimtë.

Atë natë, vonë, një grua me nënshtetësi britanike u paraqit në QKUK, pasi e njëjta dyshonte se kishte simptoma të virusit vdekjeprurës. Ajo sapo ishte kthyer nga Franca.

Pacientja ishte vizituar nge ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe rezultatet kishin rezultuar negative.

“Nga data 08.02 deri me 27.02.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën rRT-PCR, janë testuar gjithsej 23 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative”, thuhej në përgjigjet e IKSHP-së.

Qeveria ndan 400 mijë euro për Koronavirusin, sfidë mbetët shëndeti i mjekëve

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, në mbledhjen e datës 28 shkurt, ka ndarë 400 mijë euro për furnizim me mjete mbrojtëse për profesionistët për përgatitje lidhur me koronavirusin.

Këtë kërkesë e kishte bërë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Shëndetësi.

Por sa janë të gatshëm mjekët kosovarë për tu përballuar me Koronavirusin?

Oda e Mjekëve të Kosovës ka thënë se të parët që mund të preken nga ky virus janë mjekët dhe infermierët.

“Mjekët janë të përgatitur dhe të gatshëm t’i dalin përpara kësaj sfide dhe se mjekët dhe infermierët janë në front të parë të rrezikut, dhe të gatshëm për këtë fakt”, thuhet në përgjigjen e OMK-së për Insajderin.

Gatishmërinë e tyre për këtë virus të njëjtit e kanë shprehur edhe përmes një thënje të një mjeku italian.

“Ne jemi aty ku ju nuk dëshironi të jeni”.

Në anën tjetër Klinika Infektive është furnizuar nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës me pajisjet e nevojshme mbrojtëse, terapi simptomatike dhe mbështetëse për trajtimin e rasteve, duke ditur se për koronavirusin nuk ka ende vaksinë të zhvilluar.

Po në Klinikën Infektive është vendosur edhe karantina nëse ndonjë rast rezulton pozitiv.

“Një nga repartet e kësaj klinike është përgatitur për rastet që mund të izolohen (Reparti i Izolimit) me 25 shtretër (brenda të cilit është edhe Mjekimi intensiv me 4+2 shtretër). Varësisht prej situatës, kapacitetet brenda SHSKUK-së mund të shtohen, duke bërë zhvendosje të ndryshme dhe ri-modelime sipas nevojës, e gjithashtu mund të përdoren edhe Repartet infektive të Spitaleve të Përgjithshme”, thuhet në përgjigjet e MSH-së.

Si opsion i dytë është përmendur Parkun e Biznesit në Prizren dhe Qendra për Azilkërkues, në Vranidoll.

Ministria e Shëndetësisë, institucioni kryesor i shëndetësisë në vend ka marrë kërkesë për fuqizimin e kapaciteteve, në veçanti për sigurimin e pajisjeve dhe materialeve shtesë mbrojtëse për personelin shëndetësor.

“MSh ka marrë kërkesa nga Komiteti për Monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse për fuqizimin e këtyre kapaciteteve, në veçanti për sigurimin e pajisjeve dhe materialeve shtesë mbrojtëse për personelin shëndetësor, përfshirë: Respiratorë FFP2, veshje mbrojtëse për tërë trupin në madhësi të ndryshme; mburojë për fytyrë; Dorëza nitrile; dezinfektues për duar dhe dispenzerë, termometër infra të kuq për ballë”, thuhet në përgjigjet e MSH për Insajderin.

Koronavirusi, ekipet mjekësore dalin në pikat kufitare dhe në aeroport

Përhapja e shpejtë e koronavirusit, ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të shtojnë ekipet mjekësore nëpër pikat kufitare, si dhe në aeroport.

Vetëm gjatë muajit shkurt në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat kufitare kontrolleve për virus i janë nënshtruar 687 udhëtarë.

“Nga data 01.02.2020 deri me 28.02.2020 nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 687 udhëtarë. Nga Aeroporti “Adem Jashari” 172 udhëtarë, Vërmicë 302, Merdare 170, Hani i Elezit 22, Dheu i bardhë 14 dhe Kullë 7 udhëtarë”, thuhet në përgjigjiet e MSH-së për Insajderin.

Kurse, vetëm gjatë ditës së djeshme janë kontrolluar 157 udhëtarët, kryesisht të ardhur nga Italia.

“Në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” ekipet mjekësore të Aeroportit bashkë me QKMF-Lipjan, Drenas dhe Fushë Kosovë të mbështetur nga ekipi i IKSHPK-së kanë kontrolluar 157 udhëtarët e ardhur nga Verona e Italisë, sipas protokolleve të OBSH-së dhe ECDC”.

Ekipet mjekësore janë mobilizuar edhe në pikën kufitare në Merdare.

“Drejtoria e Shëndetësisë dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Podujevë kanë dërguar ekipin mjekësor në pikën kufitare në Merdar. Ky ekip do të jetë në shërbim 24 orë për identifikimin dhe kontrollimin e udhëtarëve që kalojnë në këtë pikë kufitare dhe të cilët mund të kenë simptomat e infektimit nga koronavirusi COVID-19”, thuhet në përgjigjet e MSH-së.

Ministria e Shëndetësisë gjithashtu ka përgatitur edhe një listë për rastet e dyshimta për koronavirus për qytetarët që kalojnë përmes Aeroportit dhe pikat e tjera kufitare.

Në këtë listë evidentohen të dhënat e udhëtarëve (përfshirë numri i telefonit, vendbanimi dhe adresa) në mënyrë që ata persona të kontrollohen sërish brenda 2 javësh në shtëpitë e tyre.

Pasi që kjo llogaritet periudha e inkubacionit të virusit, duke u nisur edhe nga fakti se infeksioni mund të bartet edhe gjatë kohës sa virusi është në fazën e inkubacionit.

Historia e dyshimeve për Koronavirus në Kosovë

Vetëm gjatë datës 28 shkurt shtatë persona janë paraqitur në Klinikën Infektive të QKUK-së si të dyshimta në COVID-19.

Pas kontrollimit nga ekipi i infektologëve pacientët rezultuan negative.

Kurse, me datën 27 shkurt gjashtë persona janë shtruar në Klinikën Infektive, si të dyshuar me koronavirus.

Sipas IKSHPK, këta pacientë janë kontrolluar nga ekipi i infektologëve ku janë bërë të gjitha analizat e nevojshme, dhe kanë rezultuar negativë kështu duke mos qenë të infektuar.

“IKSHPK gjatë ditës së sotme me 27 shkurt 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për gjashtë raste të dyshimta në COVID-19. Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare janë testuar gjashtë pacientë me virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B dhe kanë rezultuar negative në të tri analizat, domethënë të gjashtë pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 dhe Influencë A dhe B”, thuhet në përgjigjet e tyre.

Edhe në ditën e 26 të shkurtit në QKUK, ishin pranuar gjashtë persona si raste të dyshimta me koronavirus. Poashtu rezultuan negativ.

“Në IKSHPK janë testuar 6 pacientë në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B dhe kanë rezultuar negative në të tri analizat, domethënë të dy pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 dhe Influencë A dhe B”.

Kurse, me datën 25 shkurt ishin shtruar tre persona të dyshuar si të prekur me koronavirusin, në Kliniken Infektive, në QKUK.

Sipas QKUK, bëhej fjalë për një shtetas jo kosovar, 69 vjeç i cili ka qëndruar në Itali. Dy shtetas të tjerë kosovarë, 25 vjeç dhe 23 vjeç, të cilët kishin ardhur nga Italia. Por që të tre rezultuan negativ.

“Me datë 26.02.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar 6 pacientë në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B dhe kanë rezultuar negative në të tri analizat, domethënë të dy pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 dhe Influencë A dhe B”.

Ndërsa, me 24 shkurt ishin shkruar tre persona të dyshuar si të prekur nga koronavirusi. Bëhej fjalë për persona të ardhur nga Italia.

“Një shtetas kinez 28-vjeçar, një femër 27-vjeçare studente në afërsi të Romës në Piaqenza dhe një burrë 39-vjeçar i punësuar në Milano”, thuhet në pergjigjiet e QKUK-së

Pacientët ishin vizitua nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive, ku edhe janë marrë mostra për testim laboratorik, ku kishin rezultuar negativë.

“Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virus SARS-CoV-2 me metodën rRT-PCR te tre pacientë. Testi ka rezultuar negativ domethënë të dy pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2”, thuhet në përgjigjet e MSH-së

Kurse, me datën 23 shkurt ishin paraqitur dy persona të dyshimtë me kronavirus. Pacientet kishin pasur ethe, kollë, lodhje dhe molisje dhe pengesa në frymëmarrje.

Që  të dy pacientët u vizituan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK të cilëve iu morën mostrat për testim laboratorik dhe ku rezultuan negative.

Për të parandalur këtë virus i cili deri tash nuk ka gjetur “rrugë” për në Kosovë – shteti ka ndaluar mallrat që dyshohet se bartin koronavirusin e ri, Covid-19, të cilat kanë origjinën nga Kina.

Kështu kanë njoftuar zyrtarë të Doganave të Kosovës dhe Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK).

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2018, Kosova ka eksportuar mallra në Kinë në vlerë prej rreth 1.4 milionë euro, derisa ka importuar në vlerë prej rreth 312 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për media se rënia e importit nga Kina, ku e dhe e ka origjinën koronavirusi i ri Covid-19, është vërejtur në blerjet online.

Nëse krahasohet periudha e njëjtë e vitit të kaluar me periudhën e këtij viti, sipas tij, vërehet se ka rënie të blerjeve online nga Kina deri në 35 për qind./Insajderi.com