Dyshimet për helmim nga uji, QKMF-ja në Deçan ka mungesë barnash

Dyshimet për helmim nga uji, QKMF-ja në Deçan ka mungesë barnash

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Deçan, ku janë duke u trajtuar pacientët të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji i pijes, ka mungesë të barnave për pacientët e helmuar, transmeton Insajderi.

Drejtori i kësaj QKMF-je, Selmon Berisha, tha në Interaktiv të KTV-së se në dispozicion kanë barna deri të martën, dhe se sipas tij, nëse nuk reagon Ministria e Shëndetësisë, rrezikojnë të kenë mungesë masive.

Ai ka shtuar se vazhdojnë të punojnë me ekipe të shtuara nëpër QKMF.

“Nëse shtohet një fluks i tillë, i pacientëve që vijnë me helmime, lutemi që të mos ndodh një gjë e tillë. Si pikë referente e kemi Spitalin Rajonal të Pejës, deri më tani i kemi 2 pacientë në Pejë. Janë njoftuar të gjitha inspekcionet e Kosovës. Është njoftuar prokuroria e shtetit, stacioni i policisë. Është krijuar një task-forcë që të dalim nga kjo gjendje në këtë endemi nëse mund ta quaj ashtu. Kemi pasur përkrahje nga IKSHPK që janë përgjigjur menjëherë”, ka potencuar ai.

Aktualisht janë të shtrirë 20 pacientë në QKMF e Deçanit që kanë shenja helmimi.

Berisha u ka bërë apel qytetarëve të Deçanit që të mos përdorin ujin e ujësjellësit dhe në rast se kanë ndonjë shenjë si helmim apo dhimbje stomaku, të lajmërohen në QKMF.

Rreth 800 banorë të Komunës së Deçanit kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në kësaj komune nën dyshimin për helmim me ujë të pijes.

Lidhur me këtë, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, deklaroi se bazuar në analizat e para të kryera në Deçan qytetarët nuk janë helmuar nga uji i pijshëm.

Përmes një konference për media të thirrur nga Ministria e Shëndetësisë të hënën, Ramadani tha se në bashkëpunim me ministrinë nga mostrat e marra kanë nxjerrë rezultatet e dyta laboratorike, të cilat nuk konstatojnë se uji që vinte nga ujësjellësi rajonal i Deçanit është i kontaminuar./Insajderi.com