Dyshohet për përfshirje në rrëmbimin në Gjilan, suspendohet punëtori i RTK-së

Dyshohet për përfshirje në rrëmbimin në Gjilan, suspendohet punëtori i RTK-së

Njëri nga pesë personat e dyshuar për rrëmbimin e dy shtetasve të Maqedonisë së Veriut gjatë ditës së djeshme, nga të cilët kanë marrë para, dyshohet se është punëtor i Radio Televizionit të Kosovës, transmeton Insajderi.

I dyshuari me inicialet F.S., punon si teknik zërimi, ndërsa i njëjti me vendim të drejtorit është suspenduar nga detyra deri në përfundim të rastit.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, i cili tha se i njëjti sot është suspenduar nga puna.

“E kam lexuar në media, janë ndërmarrë masa dhe është suspenduar nga puna dhe tash kjo punë mbetet të trajtohet nga organet e drejtësisë. Unë besoj që secili punëtor kur punësohet i kërkohen dokumentet e caktuara, po tash RTK edhe ju e dini që i ka gati 1 mijë punëtorë dhe nuk u kërkohen çdo 1 muaj në lidhje me të kaluarën. Nuk e di saktë çka ka punu, diçka në teknikë, por nuk e di saktë”, tha ai për “Kallxo”.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se katër nga pesë të dyshuarit e arrestuar për rrëmbimin e shtetasve maqedonas, kanë edhe vepra të tjera kriminale në të kaluarën. /Insajderi.com