Dyshohet se i është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale, Begaj nuk është i informuar

Dyshohet se i është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale, Begaj nuk është i informuar

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër te pandehurit R.B., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Derisa dyshimet dhe raportimet e para në media çuan në emrin e kryetarit të komunës së Malishevës, Ragip Begajn, nga kjo komunë thonë se nuk janë në dijeni për një aktakuzë të tillë.

Zëdhënësi i komunës, Artan Paçarizi, në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, ka thënë se nuk kanë asnjë informacion zyrtar, andaj nuk mund të deklarohen rreth diçkaje që nuk janë të njoftuar.

“Ne nuk kemi asnjë informacion zyrtar. Nuk mund të flas aktualisht për diçka që nuk kemi informacion”, ka thënë ai.

Ndryshe, Prokuroria Speciale njofton se aktakuza është ngritur për shkak të dyshimit se i pandehuri R.B. në vazhdimësi në cilësinë e personit zyrtar ka kryer veprën penale me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, si dhe i ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkaktuar dëm shtetasit R.R. dhe buxhetit të komunës.

“Me këto veprime i pandehuri R.B. ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Insajderi.com