E akuzuara bashkë me të bijën për vrasje në Malishevë: “S’e vrava në mënyrë dinake por ashiqare – isha e kërcënuar”

E akuzuara bashkë me të bijën për vrasje në Malishevë: “S’e vrava në mënyrë dinake por ashiqare – isha e kërcënuar”

E akuzuara Nafije Rrafshi për vrasjen e Sefer Berishës në vitin 2018 në Malishevë, thotë se viktimën e ka vrarë pa ndihmën e askujt, duke shtuar se nuk ka ndodhur në mënyrë dinake, por drejtpërdrejt pasi që ndihej e kërcënuar nga Berisha tahsmë i ndjerë, transmeton Insajderi.

Kështu është shprehur ajo në seancën e sotme ndaj saj dhe të bijës Behare Nura, derisa i kundërshtoi akuzat e avokatit të palës së dëmtuar, Emrush Kastrati, që tha se për këtë vrasje duhet të akuzohet edhe personi i tretë që sipas tij, kishte qenë bashkë me të akuzuarat në ditën kritike.

Kastrati thotë se Granit Alushani është dashur të akuzohet për ndihmë në kryerjen e vrasjes, pasi që thotë se sipas të akuzuarës Nafije Rrafshi, Alushani e ka dërguar atë që ta blejë armën.

Këto pretendime të avokatit Kastrati i ka kundërshtuar e akuzuara Rrafshi, e cila tha se këtë vrasje e ka kryer e vetme ajo.

“Në këtë rast nuk është i përfshimë asnjë person dhe nuk e ka bo këtë vepër asnjë person tjetër përpos meje. Janë arrestu persona të pafajshëm, së pari djali jem Fatoni i cili nuk ka qenë në Kosovë, pastaj vajza Behare Nura e ish-dhëndri im. Nuk e kam bo në mënyrë dinake unë këtë vrasje por ashiqare, pasi që kam qenë e kërcënuar me vrasje nga i ndjeri”, tha e akuzuara Rrafshi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo tutje shtoi se këtë vrasje nuk e ka e ka bërë as me dashje, as me vetëdije, e as me paramendim.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës Rrafshi, avokati Nexhmedin Gashi tha se nuk ka ekzistuar dashja për t’u kryer kjo vrasje dhe se e akuzuara e ka zmbrapsur sulmin e atëçastshëm.

Nga ana tjetër, mbrojtësi i të akuzuarës Nura, avokati Prenk Pepaj kërkoi nga gjykata që e mbrojtura e tij të lirohet nga aktakuza në mungesë të provave.

Ai tha se prokurori aktakuzën ku e akuzon Behare Nurën dhe Nafije Rrafshin për vrasjen në bashkëkryerje e ka bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore.

“Prokuroria nuk i ka përshkruar veprimet e secilës veç e veç e që është në kundërshtim me  dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, meqenëse çdo veprim i bashkëkryerjes duhet të përshkruhet në mënyrë që të plotësohen elementet e figurës së veprës penale në bashkëkryerje”, tha avokati Pepaj.

E akuzuara Behare Nura tha se padrejtësisht është duke u mbajtur tash e 18 muaj në paraburgim dhe se ajo nuk e di se si ka ndodhur vrasja pasi që ka qenë në veturë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Behare Nura po akuzohet se më 4 gusht 2018, rreth orës 9:30, në rrugën “Habib Zogaj” në fshatin Lladrovc të Malishevës, me dashje në bashkëkryerje me të akuzuarën Nafije Rrafshi, për motive të panjohura kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Sefer Berisha, i moshës 57 vjeç.

Tutje sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi dalin nga automjeti i tyre dhe i afrohen automjetit të tani të ndjerit i cili kishte dalë nga rruga dhe ishte ndalur në një breg në afërsi të pyllit, nga një largësi për momentin të panjohur njëra prej të akuzuarave me revolen e tipit TT kalibër 7.62mm ka shtënë nga jashtë automjetit në drejtim të ulëses ku ishte i ulur i ndjeri, ashtu që me njërën prej të shtënave e qëllon atë në anën e majtë të qafës ndërsa me të shtënën tjetër në kokë mbi veshin e djathtë.

Për këtë, ato po akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje” nga neni 178 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /Insajderi.com