E goditi nën vetullën e syrit të djathtë – Këto janë detajet e reja nga vrasja në Gjilan

E goditi nën vetullën e syrit të djathtë – Këto janë detajet e reja nga vrasja në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka tregua disa detaje të cilat nuk ishin bërë publike më parë sa i përket rastit të vrasjes së një personi në Gjilan, nga zyrtari policor i cili dyshohet për këtë vepër Vëllaznim Hamdiu, shkruan Insajderi.

Në komunikatën dërguar medieve, thuhet se i dyshuari kishte goditur nën vetullën e syrit të djathtë viktimën (Lulzim Spahiu), dhe si pasojë e plagëve të marra, ai ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

“Sipas kërkesës ekziston dyshimi i bazuar që, i dyshuari V.H., më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në rrugën ‘’Nato 99’’, në Gjilan, ka privuar nga jeta të ndjerin L.S., në atë mënyrë që derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij, shkaktohet aksident trafiku me kamionin, të cilin ishte duke e drejtuar i ndjeri L.S, ku pas aksidentit, i dyshuari del nga vetura dhe pas kacafytjes, kërcënimeve dhe sharjeve mes tij, viktimës dhe djalit të viktimës, i dyshuari e nxjerrë armën e zjarrit dhe pasi viktima hyn në kamion, i njëjti afrohet tek dera e kamionit dhe me armë gjuan një herë në drejtim të tij, me ç’rast e godet nën vetullën e syrit të djathtë, i cili për shkak të plagëve të marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Ndërsa po ashtu është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Tutje, thuhet se me këto veprime, i dyshuari V.H., dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’ nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Por përveç kësaj, V.H, dyshohet edhe për dy vepra penale.

“Gjithashtu, i njëjti dyshohet edhe për dy vepra penale: ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, pasi që iu janë gjetur edhe dy revole të tjera dhe fishekë të llojeve të ndryshëm, si dhe veprën penale ‘’Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’’, pasi që para rastit të ndodhur, derisa ishte duke dëgjuar muzikë në një lokal në fshatin Malishevë, në brendësi të lokalit ka shkrepur me armë zjarri”, vazhdon komunikata.

I dyshuari gjendet në ndalim prej 48 orësh dhe sot pritet të mbahet seanca për caktimin e paraburgimit para gjyqtarit të procedurës paraprake./ Insajderi.com