fbpx

E konfirmon FFK-ja, biletat për ndeshjen Kosova – Azerbajxhani shiten “online”

E konfirmon FFK-ja, biletat për ndeshjen Kosova – Azerbajxhani shiten “online”

Për ndeshjen Kosova – Azerbajxhani në Ligën e Kombeve që do të luhet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, nuk do të ketë më radhë të gjata për të blerë bileta.

Skenat e radhëve të gjata të tifozëve në pritje për një biletë para ndeshjes me Maltën, do të evitohen me sistemin online të shitjes së biletave muajin e ardhshëm.

FFK ka konfirmuar për Insportin se për ndeshjen e 20 nëntorit me Azerbajxhanin në Ligën e Kombeve, do të ketë sistem të blerjes online të biletave.

“Po, është e vërtetë”, pohoi për Insportin zëvendës sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Arianit Ahmeti.

Ahmeti tha se ashtu siç edhe kishte deklaruar më herët këtë muaj presidenti Ademi, ka filluar çështja me sistemin online për ndeshjen me Azerbajxhanin.

“Kontraktori ynë ka lidhur kontratë me platformën online për shitjen e biletave”, pohoi Ahmeti në prononcim për Insportin.

“Tashmë po bëhet çmos që gjithçka të përfundojë me kohë, duke marrë parasysh se ndeshja e radhës është shumë afër”, tha ai.

Insporti para ndeshjes me Maltën kishte raportuar për shitjen e biletave në tregun e zi, ku një person kishte mundësinë të blinte deri në pesë bileta, dukuri kjo e cila do të evitohet me sistemin online.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi pas incidenteve në pikat e shitjes së biletave për ndeshjen me Maltën, këtë muaj kishte theksuar se biletat mund të blihen online me kartela bankare dhe se një person mund të blejë deri në dy apo tri bileta, por për këtë pret udhëzimet nga UEFA.

Ndërkaq për Insportin, para ndeshjes me Maltën numri një i FFK-së kishte deklaruar se për këtë ndeshje nuk ishte e mundur që të rregullohej sistemi online i biletave, për shkak se procedura kërkonte më shumë kohë.

Kosova e Azerbajxhani zhvillojnë ndeshjen e fundit të grupit 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve në ‘Fadil Vokrri’, më 20 nëntor. /Insporti.com/