Në Zvicër jetojnë rreth 170 mijë kosovarë, përderisa në Kosovë vetëm 460 zviceranë. Njëri prej këtyre, Kurt Trachsel nga Berna, tash e 14 vite jeton në Gjilan – vendlindjen e shtetasit të Zvicrës, Xherdan Shaqiri.
Dy gazetarët e RTV 21, Altin Marku dhe Besa Drenika, të cilët kanë emisionin e tyre televiziv “Fol Shqip Show”, zakonisht raportojnë për kosovarët në Zvicër por këtë herë ata vizituan zviceranin Kurt Trachsel i cili jeton në Gjilan si fermer, raporton gazeta zvicerane Blick.
Fermeri zviceran, i cili jeton prej 14 vjetësh në Gjilan, flet rrjedhshëm në gjuhën shqipe.
“Jeta këtu nuk është e keqe. Njerëzit janë shumë mikpritës dhe të kujdesshëm. Kam qenë këtu për 14 vite dhe nuk kam pasur kurrë problem me askënd”, thotë Trachsel.
Zvicerani Trachsel thotë se në Kosovë kishte ardhur për të ndihmuar njerëzit.
“Kam pasë një aksident ku gati kam humbur jetën, e kjo më ka shty pak me mendu çka të bëj me jetën edhe mendova më mirë me ndihmu dikë se sa me grumbullu para të mëdha sepse një ditë kur shkoj asnjë nuk e marr me vete”, ka thënë ai.
Trachsel thotë se Kosovën e ka zgjedhur përmes një shoqate humanitare ku ai ishte lajmëruar. Shoqata kishin kërkuar punëtor për në Kosovë në vitin 2003 pak pas luftës.
Dhe tani Kurt Trachsel e ndien veten të integruar në Kosovë. Ai thotë që ka krijuar një shoqëri këtu. Ndërsa me raste thotë së ka momente që i bie pishman se pse ka ardhur në Kosovë, njofton Insajderi.
“Po ka momente, sepse e kemi edhe një biznes të vogël, dhe nganjëherë njerëzit… këtu shkon shumë me borxhe, ju e dini, pra kur nuk mundemi me nxjerrë para… pra ka do momente”, thotë Kurt.
Familjarët e Kurtit të cilët janë të gjithë në Zvicër, disa i thonë “mirë që ke shkuar”, por ka edhe të tjerë që i thonë “je krejt budalla”.
Përveç tjerash, ai thotë që nuk e ka problem nëse fëmijët e tij martohen me shqiptarë.
“Mua për vete nuk më pengon sepse unë mendoj se fëmija vendos për fatin e vet. Në qoftë se i duket më mirë me shqiptare le ta merr një shqiptare, nëse i duket më mirë me zvicerane e merr një zvicerane”, thotë Trachsel.
Ndërsa fëmijët e Kurtit, dy djem dhe një vajzë, shkojnë të gjithë në shkollë dhe flasin shqip por normalisht në shtëpi me njëri-tjetrin flasin gjermanisht për të mos harruar gjuhën. /Insajderi.com