fbpx

“E njeh shtetin e Kosovës” – Pavarësia festohet me Ludo në Skenderaj

“E njeh shtetin e Kosovës” – Pavarësia festohet me Ludo në Skenderaj

Në ditën kur Kosova do të shënojë përvjetorin e 11 të pavarësisë një lojë që ka marrë vëmendjen e shumë qytetarëve do të luhet në Skenderaj.  Loja ‘Ludo’ do të jetë pjesë e festimit të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Krejt kjo është bërë me kërkesën e të rinjve në Skenderaj. Koordinatori i Qendrës Rinore Publike në Skenderaj, Arben Veliu ka dhënë informacione shtesë lidhur me këtë ngjarje.

Ka thënë për Insajderin se i deja ka qenë nga të rinjtë për shkak të popullaritetit të lojës. Për më shumë ka thënë se Ludo e njeh edhe shtetin e Kosovës, pasi që ka vendosur flamurin e Kosovës.

“Kemi dëgjuar aty dhe e kemi pa që edhe Ludo e ka pranuar shtetin e Kosovës dhe e ka vendosë flamurin aty. Kështu që u pa si mjaftë interesante se në rrejte sociale ish një lojë që po u luajke mjaftë shumë”, ka thënë Veliu për Insajderin.

“Ne si Qendër rinore jemi të obliguar që kërkesat rinorë t’i realizojmë dhe ishte një kërkesë prej disa të rinjve që ta organizojmë një lojë pak më ndryshe. Ne edhe në të kaluarën kemi organizuar lojëra në shesh me figura të mëdha të shahut”, ka thënë ai më tutje.

Veliu ka thënë se kjo lojë nuk do të luhet në telefon si zakonisht, por do të luhet me ikona që përdorën në stërvitje në futboll dhe sporte të tjera.

Për shpërblim, Veliu ka thënë se fituesit do të ftohen për një kafe dhe nga një ëmbëlsirë, në ëmbëltoren e Qendrës së Rinisë së Skenderajt.

“Përmasa 5 me 6 e kemi një mbulojë (ceradë v.j ) me ikona të futbollit që i qesin nëpër stadium. Figurën ka me e kapë dorë ata që luajnë dhe me manovrua me të. Fituesit do t’i ftojmë që ta pinë nga një kafe dhe nga një tortë në pastiçerinë tonë”.

“Edhe komuna e ka fut si aktivitet lojën Ludo në agjendë. E kemi bërë të premten fillimisht për shkak se edhe të rinjtë janë në qytet”,ka deklaruar Veliu./Insajderi.com