E rrahën dhe keqtrajtuan një të arrestuar – Arsyeja që çoi në suspendim të gjashtë zyrtarëve policorë në Gjakovë

E rrahën dhe keqtrajtuan një të arrestuar – Arsyeja që çoi në suspendim të gjashtë zyrtarëve policorë në Gjakovë

 

Dyshohet se shkaku i suspendimit të gjashtë zyrtarëve policorë të Gjakovës, është keqtrajtimi dhe rrahja e një të arrestuari në nëntor të vitit të kaluar.

M.R., i arrestuar në nëntor të vitit të kaluar për grabitje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, dyshohet se ishte rrahur dhe maltretuar në stacionin policor të Gjakovës, raporton KTV.

Por, e gjithë kjo u zbulua kur ky i arrestuar kishte dorëzuar një ankesë në kutinë e ankesave të Avokatit të popullit, në Qendrën e paraburgimit në Pejë.

E pasi i dyshuari ishte trajtuar në këtë qendër dhe pas raporteve mjekësore të lëshuara nga qendra e paraburgimit, ai ishte dërguar për trajtim edhe në Spitalin e Pejës, ku përmes raportit mjekësor vërtetohej se ishte kishte lëndime në pjesë të ndryshme të trupit.

E ndonëse zyrtarë të Avokatit të popullit, dy herë i kishin drejtuar shkresa Inspektoratit Policor për të parë çfarë masa ishin marrë për rastin, këtij institucioni i ishin dashur më shumë 7 muaj hetime për të marrë vendim për suspendimin e këtyre zyrtarëve.

Ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës, përveç një komunikate të lëshuar për media, ka thënë se nuk mund të japë detaje të tjera për shkak të hetimeve.

Një ditë më parë, me rekomandim të Inspektoratit Policor, Policia e Kosovës suspendoi komandantin e stacionit policor në Gjakovë Kristë Gjokaj dhe 5 zyrtarë të tjerë policorë.

Ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” .

Sipas nenit 27 të Kushtetutës së Kosovës, askush nuk mund t’i nënshtrohet  torturës, ndëshkimit a trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.