fbpx

E tallin të gjithë dhe e akuzojnë për mashtrim, Naser Rugova fshinë postimin për vizën

E tallin të gjithë dhe e akuzojnë për mashtrim, Naser Rugova fshinë postimin për vizën

U akuzua nga komentuesit se ka gënjyer kur ka thënë se ka pasur termin për vizë në Ambasadën e Hungarisë, për ta arsyetuar mungesën e tij në Kuvend ditën kur u votua rezoluta kundër Thaçit.

E kjo duket se ka bërë që deputeti i LDK-së, Naser Rugova ta fshijë postimin ku kishte postuar fotografinë e vizës që e kishte marrë nga ambasada më 30 tetor.

Image may contain: one or more people

Gazeta Insajderi raportoi se më datën 1 nëntor kur Rugova kishte thënë se ka qenë në Ambasadë, kjo e fundit nuk ka punuar.

Madje edhe në kalendarin e festive zyrtare të Hungarisë, kjo është ditë pushimi.

Gazetart të Insajderit në cilësinë e aplikuesit për vizë, i është konfirmuar nga Ambasada se më 1 nëntor nuk kanë punuar.

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova në deklaratën e tij për Insajderin ka thënë se më datën 1 nëntor ka pasur një takim të rëndësisë më të lartë.

Por nuk ka dhënë detaje për këtë takim.

“Unë kam pas një takim, e kam kry punën teme dhe nuk kam obligim për takimet dhe formën që e kam pasur. Unë e kam dhanë sqarimin tim publik dhe jemi në rregull.  Unë jam kanë në një takim në lidhje me viza, por edhe me një takim tjetër të një niveli pak më të lartë se vizat. Jemi në rregull, nuk kam obligim me bo publik. Shefi grupit paralmentar ka qenë i informuar dhe jemi në rregull. Ju e keni punën e juve, unë e kam dhënë sqarimin tim publik”, deklaroi Naser Rugova.

Pas raportimit të Insajderit, Rugova ka publikuar një vizë në facebook. Por që data e marrjes së saj është 30 dhjetor.

Kujtojmë se ditën kur nuk u votua rezoluta e LDK-së kundër Thaçit, Naser Rugova kishte thënë se ka pasur termin për vizë.

“Skam marrë fare pjesë në votim se kam pas termin në ambasadë hungareze për vizë sepse kam udhëtim jashtë vendit. E kam pas të caktuar domethënë. I kam njoftuar edhe kolegët e grupit. Unë kam qenë deri 15 minuta para votimit, sepse kam vazhduar me taksi për në ambasadë. S’kam qenë fare i pranishëm në votim” kishte thënë Rugova për Express.

Më datën 1 nëntor të këtij viti, dështoi të votohej rezoluta e LDK-së që do t’ia ndalonte Thaçin diskutimin për kufijtë.

Debat i madh ishte shkaktuar pasi disa deputetë të LDK-së dhe VV-së, nuk kishin marrë pjesë në seancë.

Naser Rugova, Anton Quni, Korab Sejdiu, Fatmire Kollçaku ishin disa nga deputetët që nuk ishin në sallë për të votuar.

Kjo rezolutë nuk u miratua, pasi vetëm 50 deputetë votuan pro. /Insajderi.com