E tmerrshme: Gazeta Kosova Sot publikon fotot e vajzës së dhunuar

E tmerrshme: Gazeta Kosova Sot publikon fotot e vajzës së dhunuar

Hulumtimi i Gazetës Online Insajderi, publikuar nga kryeredaktori i këtij mediumi Vehbi Kajtazi, ka bërë bujë në gjithë vendin, ku një 16-vjeçare ishte abuzuar seksualisht fillimisht nga mësuesi i saj dhe më pas edhe nga polici hetues, kur ajo kishte raportuar rastin në Policinë e Kosovës.

Në gjithë këtë rast të ndjeshëm, ka qenë Gazeta ‘Kosova Sot’ ajo që ka shokuar duke publikuar fotografitë e vajzës A.G nga Drenasi e cila ishte përdhunuar që nga mosha 16-vjeçare.

Ky medium i cili ka publikuar fotografitë e ka konsideruar si të suksesshme, faktin që ka arritur t’i sigurojë fotografitë e vajzës 16-vjeçare, duke i publikuar më pas ato.

Dhunë, shfrytëzim seksual, abort i detyruar – historia trishtuese e nxënëses nga Drenasi me hetuesin policor

Të martën Gazeta Online Insajderi, kishte publikuar hulumtimin, “Dhunë, shfrytëzim seksual, abort i detyruar – historia trishtuese e nxënëses nga Drenasi me hetuesin policor”, ku tregohej për abuzimin seksual ndaj 16-vjeçares. Prokuroria ishte informuar nga Insajderi për këtë rast.

Nxënësja në moshën 16-vjeçare nga Drenasi, kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj. Por, në vend të gjetjes së ndihmës, ajo ka gjetur një “padron” skllavërues policor.

Pas marrjes së deklaratës, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, hetuesi V.V., nën kërcënim dhe shantazh e kishte detyruar të bënte seks me të. Pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vjet, vajza kishte mbetur shtatzënë.

Hetuesi, e kishte detyruar vajzën ta abortonte në klinikën e gjinekologut, Fehmi Ahmeti në Prishtinë. Historia e dhunës ka marrë fund të martën kur hetuesi është arrestuar. Po ashtu Gazeta Online Insajderi kishte intervistuar vajzën nga Drenasi që ishte abuzuar seksualisht me vite të tëra.

Pas tri dite të publikimit të këtij hulumtimi, janë arrestuar polici hetues, Vesel Vesel, mësuesi, Shkelzen Xhekaj dhe gjinekologu, Fehmi Ahmeti. Po ashtu janë mbajtur dy protesta, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Drenas. Gjatë ditës së sotme Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshëm për këtë rast./Insjaderi.com

Dhunë, shfrytëzim seksual, abort i detyruar – historia trishtuese e nxënëses nga Drenasi me hetuesin policor