E veçanta e “Dokufestit” sivjet është numri i filmave nga regjisore e producente gra

E veçanta e “Dokufestit” sivjet është numri i filmave nga regjisore e producente gra

Edicioni i 17-të i “Dokufest” do të filloj në Prizren nga data 3 dhe do të zgjas deri me 11 gusht. Organizatorët e festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër “Dokufest”, kanë treguar detajet e edicionit të 17-të të këtij festivali.

Drejtori Artistik i festivalit, Veton Nurkollari tha se filmat e përzgjedhur do të shfaqen në 6 kategori garuese.

“Kemi përzgjedhur 260 filma prej afro 2500 aplikime që kemi pasur për festival në gjashtë kategori garuese. Kemi bashkëpunuar me institutin e filmave të Tajvanit me një program prej 20 filmave, ku edhe do të kemi mysafir nga ky shtet. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm i regjisorëve të huaj kanë konfirmuar pjesëmarrjen”, ka thënë Nurkollari.

Ai tha se një veçanti e këtij edicioni është edhe numri i madhe i filmave nga regjisore dhe producente gra dhe vajza.

“Festivali i filmit në Venecia ka marrë shumë kritika në lidhje me mungesën e regjisoreve femra, ndërsa ne rastësisht në DokuFest në këtë edicion i kemi 87 filma nga regjisore femra dhe 184 producente”, tha Nurkollari.

Drejtoresha e festivalit, Nita Deda, sa i përket programit të muzikës tha se do të ketë tri skena dhe se këtë vit do të këtë performancë edhe nga muzika tradicionale kosovare.

“Programi i muzikës shkrihet në tre skena, “Andrra” në Marash, te Kalaja dhe skena Lumbardhi i Prizrenit. Në skenën e Kalasë do të jetë një performancë nga çikat me defa për me shënu trashëgimin kulturore të Kosovës”, tha ajo.