Ed Guard kërkon të mos botohen tekstet e reja

Ed Guard kërkon të mos botohen tekstet e reja

nstituti për Studime në Edukim “Ed Guard” ka kërkuar që të mos botohen tekstet e reja shkollore, pasi vlerëson se ka mangësi dhe tekste jo të mirëfillta.

Ed Guard thotë se pas vëzhgimit me shumë kujdes të procesit tashmë disa mujor të vlerësimit të teksteve të reja shkollore, po u përcjellim këtë komunikatë si shqetësim dhe reagim ndaj mangësive në proces të vlerësimit që pa evitueshëm kanë rezultuar me dorëshkrime jo cilësore të aprovuara nga recensentët për botim.

“Vlerësojmë që mangësitë e evidentuara në proces kanë shthurur qëllimin parësorë të Ministrisë për një proces transparent dhe tekste të mirëfillta, sikurse që këto mangësi tashmë kanë dëmtuar legjitimitetin e tërë procesit. Kjo besojmë që do të përshkallëzohet nëse këto tekste eventualisht miratohen për botim”, thuhet në komunikatën e këtij Instituti.

Tutje ky Institut shton se do të jetë e patolerueshme për të gjithë aktorët e përshirë në arsimin para universitar, në veçanti komunitetin e mësimdhënësve dhe prindërve, që tekstet e shumëpritura të mos dallojnë cilësisht nga ato të mëparshmet.

“Besojmë shumë në pavarësinë e garantuar të punës së recensentëve në vlerësim të dorëshkrimeve, mirëpo është menaxhimi i procesit që garanton cilësi, kjo, përshirë, (1) sigurimin e përzgjedhjes transparente të recensentëve; (2) përgatitjen dhe udhëzimin e recensentëve për proces të vlerësimit; (3) sigurimin e sekretit të dorëshkrimeve, (4) angazhim të recensentëve që mund të mbulojnë profesionalisht të gjitha standardet për hartim të teksteve shkollore; (5) sigurimi i mos komunikimit të recensentëve me shtëpi botuese; (6) transparenca dhe dokumentimi të gjitha hapave të procesit; si dhe; (7) përfshirja aktive e KEPTSH në proces”, thuhet në komunikatë.

Ed Guard kërkon nga MASHT-i të mos i botojë këto tekste.

“Janë pikërisht mangësitë në këto pjesë të procesit që në vlerësimin tonë cenojnë tej mase cilësinë finale të teksteve për botim. Andaj, kërkojmë që MASHT në asnjë moment të mos merr vendim të ngutshëm për botim, pa u hapur po të njëjtat për diskutim dhe të dokumentarit e cilësisë të të gjitha teksteve për botim. Në situatën që jemi në arsim pasuniversitar çfarëdo neglizhence që kontribuon tutje në mos cilësi në mësimdhënies dhe mësimnxënies është e pa pranueshme”, thuhet në komunikatë.