Edhe Ali Ahmeti kundër ndarjes së Kosovës, thotë se shkakton efekt domino

Edhe Ali Ahmeti kundër ndarjes së Kosovës, thotë se shkakton efekt domino

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, në emisionin e mbrëmshëm Opinion në  TV Klan foli edhe për çështjen e ndryshimit të kufijve në rajon.

“Është e vërtetë se është aktualizuar një çështje shumë e nxehtë midis Kosovës dhe Serbisë rreth punës së kufijve. Vetëm për demarkacionin Maqedoni-Kosovë është diskutuar katër vjet dhe dy vjet për demarkacionin Kosovë-Mal i Zi. Unë e përshëndes guximin e z.Hashim Thaçit, por besoj se bisedimet do zgjasin më shumë”, shprehet  Ahmeti.

Ahmeti shpreh qëndrimin e tij se është kundër ndarjse së Kosovës që sipas tij prodhon efekt domino.

“Edhe me Grupin Ndërkombëtar të Krizave dikur në zyrat e mia kisha diskutuar për një propozim rreth ndarjes së Kosovës, gjë që unë isha dhe jam kundër kësaj teze. Ndarja e Kosovës prodhon efekt domino. Ne duam që Kosova të njihet e pavarur, shqiptarët e Maqedonisë të jenë pjesë e NATO-s dhe BE-së, ashtu siç duhet të jenë edhe shqiptarët e Shqipërisë. Këtë ia kam thënë edhe drejtorit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave dhe pas kësaj qëndroj”, ka thë Ahmeti.

Lideri i BDI-së është shprehur se problemi Kosovë-Serbi është i rëndë, pasi ka të bëjë edhe me konteste historike, sepse siç përkujton ai, kemi shumë shqiptarë nga Medvegja dhe rrethina e saj janë shpërngulur dhe janë vendosir në pjesë të ndryshme të Kosovës.

“Ky është një problem, sepse hapet më shumë debati, sepse njerëzit akoma i kanë tapitë e vendeve të tyre që janë detyruar t’i braktisin”, ka theksuar Ahmeti.

Ai ka shtuar se  “Leposaviq, Zveçan dhe pa Mitrovicën, po flas hipotetikisht, në kufijtë politikë Medvegja, Bujanoci dhe Presheva, edhe pse nuk pajtohesha, nëse japim 13 për qind të territorit, atëherë është marrëveshje jo e mirë. Komuniteti ndërkombëtar nuk është shumë kundër korrigjimeve apo ridefinimeve të kufijve, por ata mbështesin një marrëveshje fleksibile, me çka do lehtësonin edhe BE-në. Tani problemi Kosovë-Serbi pa angazhim të drejtpërdrejt të Uashingtonit dhe Brukselit nuk mund të zgjidhet me marrëveshje drejtpërdrejt të Prishtinës dhe Beogradit”, tha Ahmeti

Sipas tij duhet një angazhim më konkret i SHBA-ve dhe BE-së, sepse ndryshe hapet një debat dhe problem më i madh.

“Domosdo të definohen kufijtë dhe të mbyllen mosmarrëveshjet me Serbinë, por kjo me atë që thashë, me ndihmë nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe Brukselit”, thotë Ahmeti, duke thënë se në bisedimet tanimë të hapura midis Serbisë dhe Kosovës janë të kyçur edhe zyrtarët rusë dhe ata turq.