Edhe dy kryetarë komunash u bëjnë thirrje mësimdhënësve të dalin në punë nesër

Edhe dy kryetarë komunash u bëjnë thirrje mësimdhënësve të dalin në punë nesër

Komunat e Obiliqit dhe të Deçanit janë dy komunat e radhës që u kanë kërkuar mësimdhënësve t’i rikthehen mësimit.

Kërkesa vjen pas vendimit të Qeverisë së Ramush Haradinajt për të ndarë 20 milionë euro në vit për rritje pagash në tri nivele të arsimit.

Kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi, thotë se nga nesër do të duhej të fillonte mësimi “me shpresën në arritjet e vazhdueshme të fëmijëve në rrugën e dijes”.

“U ftoi të gjithëve ju mësimdhënës të komunës time, që nga neser të filloni procesin mësimor me shpresën në arritjet e vazhdueshme të fëmijëve në rrugën e dijes.

“Ju ditët gjithher të kontriboni në këtë fushë e po ashtu ju jeni shtylla e ndërtimit të shtetit tonë, prandaj unë kam shpresë në ju që duke respektuar ofertën e kryeministrit Haradinaj, neser të filloni procesin mësimor në të gjitha institucionet shkollore”, thuhet në njoftimin e Gashit.

Edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka lëshuar një reagim të njëjtë. U ka bërë thirrje mësimdhënësve të dalin nesër në punë.

Nëpërmjet një njoftimi, të publikuar në Facebook, Ramosaj ka njoftuar se të hënën do të fillojë gjysmëvjetori i dytë në shkollat e Deçanit.

“Sonte në ora 21:00, së bashku me drejtorin e DKA-së, takuam në zyrën time drejtorët e shkollave të Komunës së Deçanit. Në këtë takim të jashtëzakonshëm u dakorduam që nesër të fillojmë me procesin mësimor”, ka shkruar ai.

“Ftoj të gjithë mësimdhënësit dhe nxënesit që të jenë në objektet shkollore sipas orarit të rregullt”, ka porositur Ramosaj. /Insajderi.com