Edhe në territorin e Maqedonisë fillojnë kërkimet për gjetjen e policëve të zhdukur

Edhe në territorin e Maqedonisë fillojnë kërkimet për gjetjen e policëve të zhdukur

Po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e dy policëve të cilët mbrëmë u aksidentuan në rrugën Hani i Elezit-Kaçanik.

Ata kishin dalë nga rruga dhe kishin rënë në lumin Lepenc ku vetura është gjetur në ujë, derisa trupat e policëve ende nuk dihet se ku janë.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, i cili ka thënë se ende nuk kanë informacione të sakta se si ka ndodhur aksidenti i dy policëve mbrëmë rreth orës 20:45.

Sipas tij, aksidenti ka ndodhur në një vend ku rruga është e papërshtatshme.

“Informata e parë ka ardhur drejtpërdrejt në Policinë e Kosovës, e cila ka marrë masat e menjëhershme. Ka informuar njësitet e reagimit primar të cilat kanë ardhur në vendin e ngjarjes. Njësitet kanë punuar deri në orën 3:30 minuta, kur është ndërprerë operacioni. Pastaj ka vazhduar sot. Në këtë operacion ndihmë kanë dhënë edhe përfaqësuesit e Bechtel Enka duke e ndriçuar vendin e ngjarjes…Të gjitha njësitet dhe institucionet e tjera janë aktive, kështu që do ta zhvillojnë operacionin deri në gjetjen e tyre”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë, Naim Rexha, theksoi se të gjitha njësitet janë duke bërë gjithçka për gjetjen e policëve të aksidentuar. Ai theksoi se kërkimet për dy policët kishin nisur mbrëmë menjëherë pas aksidentit, për t’u ndërprerë rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm, për të nisur përsëri në orën 09:00.

Kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, bëri të ditur se me të marrë informacionin, ekipet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Ai u shpreh i bindur se aksioni do të vazhdojë deri në gjetjen e zyrtarëve policor në komunën e Kaçanikut.

“Me të marrë informacionin, bashkërisht me njësitë policore të nivelit komunal që i kemi, duke i njoftuar edhe nivelin qendror kemi marrë të gjithë ato masa që kemi mundësi t’i marrim. Ka filluar menjëherë aksioni i kërkimit të trupave, të cilët për momentin ende nuk dihen dhe aty kah ora 3 e 30 minuta është ndërprerë për të vazhduar sot në mëngjes siç e keni parë. Dhe po shpresojmë që një aksion i tillë do të vazhdojë deri në gjetjen e zyrtarëve policor në komunën e Kaçanikut”, tha ai.

Ndërsa kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, theksoi se kërkimet për dy policët janë duke u zhvilluar në të dy anët e kufirit, në Kosovë dhe Maqedoni.

Derisa bëri të ditur se mbrëmë me të marrë lajmin edhe vet ka dalë për t’i kërkuar ata.

“Nga orët e mbrëmjes ne kemi qenë me qytetarët, me Policinë, FSK-në dhe vet personalisht kam qenë në ujë duke i kërkuar trupat e dy policëve. Megjithatë, nuk është arritur dhe sot kemi bërë një ftesë publike që të kërkohet në të dy anët e kufirit. Nga mëngjesi kemi qytetarë, kemi të rinj që janë duke i kërkuar nëpër lum, brigjeve të lumit, në territorin e Maqedonisë dhe në territorin e Kosovës”, u shpreh Suma.

Ndërkaq, për gjetjen e dy policëve janë angazhuar edhe qytetarët e Kaçanikut dhe ata të Hanit të Elezit.