Edhe një raport tjetër ndërkombëtar lavdëron progresin në Kosovë

Edhe një raport tjetër ndërkombëtar lavdëron progresin në Kosovë

Kosova ka shënuar progres në shumicën e indikatorëve të qeverisjes së mirë të agjencisë federale amerikane MCC, duke dëshmuar kështu për thellësinë e reformave dhe seriozitetin e institucioneve të Kosovës në përmirësimin e peizazhit ekonomik dhe social për investime.

Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit – MCC, ka publikuar listën e indikatorëve vjetor të qeverisjes së mirë, ku përfshihen njëzet indikatorë kyç në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, reformave ekonomike, shëndetësisë, arsimit, përfshirjes gjinore dhe indikatorë tjerë të rëndësishëm shoqërorë.

Kosova ka treguar përparim në shumicën e indikatorëve, duke dëshmuar kështu për thellësinë e reformave dhe seriozitetin e institucioneve të Kosovës në përmirësimin e peizazhit ekonomik dhe social për investime.

Përmirësimi më i madh i indikatorëve është shënuar në luftën kundër korrupsionit nga 36 për qind në 60 për qind, sundimin e ligjit nga 37 në 50 për qind, pastaj në lirinë e informimit, kualitetin rregullativ, etj.
Këta indikatorë ofrohen nga agjencitë e OKB-së dhe organizata me renome si Brookings Institution, Freedom House, Heritage Foundation si dhe institucionet si Banka Botërore, IFC, etj.

Qeveria e Kosovës ka falënderuar USAID-in, UNDP-në dhe agjencitë e OKB-së për partneritet në përpilimin dhe botimin e indikatorëve.

Ndërkohë, këtë muaj fillon punën dhe Fondacioni i Mileniumit, i cili është deleguar nga MCC dhe Qeveria e Kosovës për implementimin e programit prej 49 milionë dollarë i tipit Threshold.

Qeveria e Kosovës është zotuar të ndihmojë maksimalisht këtë entitet përgjegjës duke punuar edhe për qasje në fonde shtesë të investimeve infrastrukturore në të ardhmen.

Më poshtë gjeni edhe listën e indikatorëve ku është shënuar progresi:

Kontrolli i korrupsionit 2017: 37% / 2018: 60%. Kemi përmirësim për 23% – Burimi: Banka Botërore / Instituti Brookings

Normat e imunizimit 2017: 67% – 2018: 93.5%. Kemi përmirësim për 26.5% – Burimi: UNICEF / OBSH

Sundimi i Ligjit 2017: 37% / 2018: 50%. Kemi përmirësim për 13% – Burimi: Banka Botërore / Brookings

Regjistrimi i vajzave në shkollim të mesëm 2017: 56% – 2018: 69%. Kemi përmirësim për 13% – Burimi: UNESCO

Shpenzimet Shëndetësore 2017: 26% / 2018: 37%. Kemi përmirësim për 11% – Burimi: OBSH

Liria e Informimit 2017: 63% / 2018: 73%. Kemi përmirësim për 10% – Burimi: Freedom House

Mbrojtja e Burimeve Natyrore 2017: 37% / 2018: 47%. Kemi përmirësim për 10% – Burimi: CIESIN

Politika fiskale 2017: 56% / 2018: 63%. Kemi përmirësim për 7% – Burimi: FMN

Cilësia e Rregullatorit 2017: 63% / 2018: 70%. Kemi përmirësim për 7% – Burimi: Banka Botërore / Brookings

Qasja në kredi 2017: 85% / 2018: 90%. Kemi përmirësim për 5% – Burimi: IFC

Shpenzimet e arsimit fillor 2017: 18% / 2018: 21%. Kemi përmirësim për 3% – Burimi: UNESCO

Efektiviteti i qeverisë 2017: 48% / 2018: 50%. Kemi përmirësim për 2% – Burimi: Banka Botërore / Brooking