Edhe një zyrtar i lartë i VV-së përmend gjakderdhjen në mes të pandemisë

Edhe një zyrtar i lartë i VV-së përmend gjakderdhjen në mes të pandemisë

Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, ka thënë se mbrëmë ka dështuar përpjekja që të fryhet një situatë krize në veri.

Ai ka thënë se sulme sinkrone që po ndërtonin një përsëritje të marsit 2004 dhe korrikut 2011. U bë përpjekje të ndërtohet prilli 2020, përcjell Insajderi.

Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Aliu ka shkruar se në të parën pati dhjetra të vrarë, në atë të dytën u vra polici Enver Zymberi. Dhe, tani prilli 2020 do të mund të sillte gjakderdhje të sërishme në mes të krizës së pandemisë.

Postimi i tij i plotë:

Si duket, dështoi përpjekja e mbrëmshme që të fryhet një situatë krize në veri. Sulme sinkrone që po ndërtonin një përsëritje të marsit 2004 dhe korrikut 2011. U bë përpjekje të ndërtohet prilli 2020.

Produkt i të parës ishte raporti i Kai Aides, që u morr edhe si detyrë projektuese për ndarjet me decentralizim etnik dhe eksterritorialitet fetar në pakon e Ahtisaarit. E dyta riktheu bllokimin e urës, ngriti barrikadat e shumta në veri, thelloi këto ndarje dhe solli marrëveshjen për ‘zajednicën’. Dhe kjo e treta tash mbase do të pregadiste terrenin për ndarje definitive, për marrëveshjen Thaçi-Vuçiq.

Në të parën pati dhjetra të vrarë, në atë të dytën u vra polici Enver Zymberi. Dhe, tani prilli 2020 do të mund të sillte gjakderdhje të sërishme në mes të krizës së pandemisë. Herëve tjera, qytetarë të shumtë u nxitën, dhe me idenë se po godisnin Sërbinë u përfshinë në ngjarje që realisht u keqpërdorën mëpastaj për marrëveshjet e dëmshme.

RTK mbrëmë kishte aktivizuar mekanizmat dhe punonte me kapacitet të plotë, njëjtë si në 2004 dhe 2011. Sikur donte të ngrohte ca gjak për ngjarje të reja.

Mbrëmë nuk patën sukses por nuk do të thotë që nuk bëjnë përpjekje të tjera. Thaçi e do marrëveshjen e cila e ndanë Kosovën ashtu siç e din vetëm ai. Prandaj, populli është ndarë nga ky njeri që realisht nuk është më president, meqë nuk e përfaqëson më unitetin e popullit. Në fakt, më parë, populli është bërë unik kundër tij./Insajderi.com