Edhe një zyrtare e Pentagonit dëshmon në hetimet për shkarkimin e Trumpit

Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë Laura Cooper mbërriti të mërkurën në Kongres për të dëshmuar mbi ndihmën ushtarake prej 391 milionë dollarësh për Ukrainën e cila u mbajt e ngrirë nga Shtëpia e Bardhë.

Edhe  një zyrtare e Pentagonit dëshmon në hetimet për shkarkimin e Trumpit

Dëshmia vjen në kuadër të hetimeve që ligjvënësit po zhvillojnë rreth veprimeve të Presidentit Donald Trump lidhur me Ukrainën, në një përpjekje për ta shkarkuar atë.

Ndërsa pritej të niste seanca me dyer të mbyllura me zonjën Cooper, ligjvënësit republikanë u përpoqën të bllokojnë dëshminë e saj. Ligjvënësi republikan Mark Meadows tha se republikanët u përpoqën të futën gjatë një seance dëgjimore me një zyrtare të rëndësishme të Pentagonit “pasi kërkojnë një proces të hapur e transparent”. Por ligjvënësi demokrat Eric Swalwell u tha gazetarëve se republikanët vunë në rrezik një zonë të sigurt në Kongres, duke iu referuar vendit ku po zhvillohej seanca me dyer të mbyllura me zyrtaren e Pentagonit. Ai tha se republikanët u përpoqën të pengojnë hetimin si dhe të frikësojnë dëshmitaren, por siç tha më tej ai, nuk do të arrijnë ta vonojnë hetimin.

Demokratët njoftuan se do të publikojnë pjesë të zbardhura të dëshmisë së zonjës Cooper dhe se kanë në plan të zhvillojnë seanca publike në një fazë më të vonë të hetimit.

Djali i Joe Biden-it, Hunter Biden, ishte anëtari i bordit të Burisma-s, një kompani gazi në Ukrainë. Sipas zotit Trump kur zoti Biden mbante detyrën e nënpresidentit, ai kishte kërcënuar se do ta ndalte ndihmën ndaj Ukrainës, nëse Kievi nuk ndalte një hetim për korrupsion ndaj Burisma-s.

Por zoti Trump nuk ka ofruar asnjëherë ndonjë dëshmi për korrupsion nga ana e Joe Biden apo djalit të tij. Akuza se Ukraina ndërhyri në zgjedhjet presidenciale 2016-s për llogari të demokratëve bazohet në një teori konspirative.

Komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequra nga Demokratët po zhvillojnë seanca dëgjimore me dyer të mbyllura për të përcaktuar nëse do të rekomandojnë ngritjen e akuzave zyrtare për shkarkimin e presidentit Trump, pjesërisht lidhur me dyshimet për përfshirjen e një vendi të huaj në zgjedhjet amerikane.