Të enjtën në Prishtinë dhe të premtën në Drenas organizohen dy protesta për të kërkuar drejtësi për viktimën, një e mitur e cila arriti moshën e pjekurisë duke qen" />

Edhe sa viktima të tjera?

Një e mitur, ngacmohet dhe dhunohet në shkollë, nga mësuesi i saj. Shkollë dhunuese. E mitura shkon në Polici për ta raportuar rastin, por gjen një dhunues tjetër. Polici dhunuese. Shteti e dekoron policin dhunues. Shtet dhunues. Ky nuk është fati i vetëm një të miture që u dhunua me vite, por ky mund të jetë fati i secilit prej neve. Derisa shteti është i mbushur me pushtetarë dhunues, rrugët do të mbushen me viktima. Që kjo të mos ndodhë, duhet ta çlirojmë shtetin nga dhunuesit, duke dalë në rrugë për të mbrojtur viktimat. Vetën.

Edhe sa viktima të tjera?

Të enjtën në Prishtinë dhe të premtën në Drenas organizohen dy protesta për të kërkuar drejtësi për viktimën, një e mitur e cila arriti moshën e pjekurisë duke qenë një skllave seksi e një zëvëndshefi të hetimeve në Policinë e Kosovës. Ka shumë arsye pse secili prej nesh duhet të dalë në protesta dhe të mos i ndalim ato, por disa prej tyre janë më të rëndësishme.

Këto arsye lidhen me egzistencën tonë si shoqëri dhe egzistencën e shtetit në të cilin duam të jetojmë. Ky shtet, i tanishëm, nuk është shteti që na ka argumentuar se është një vend i sigurtë për qytetarët. Secili nga ne, mund të jemi viktima të mekanizmave të këtij shteti. Kjo na është dëshmuar çdo vit përmes qindra rasteve të padrejtësive në gjykata ndaj drejtuesve të korruptuar, faljen e dhunuesve dhe lejimin e një normaliteti për dhunën dhe vrasjet që kanë ndodhur në vend, sidomos ndaj vajzave dhe grave.

Por rasti i fundit, të cilin e publikuam në Insajderi, është një dëshmi e qartë, se nuk mund të mbështetemi në asnjë mekanizëm të këtij shteti, për t’u mbrojtur nga dhunuesit, sepse shumica e institucioneve janë të mbushur me dhunues.

Dhunë, shfrytëzim seksual, abort i detyruar – historia trishtuese e nxënëses nga Drenasi me hetuesin policor

Rrugët dhe madje skuktat e qytetit janë më të sigurta sesa një shkollë, një spital apo një stacion policie. Dhunuesit tashmë nuk rrinë nëpër vende të errëta apo sekrete për t’i ikur shtetit, por ata janë brenda tij. Dhunuesit në këtë vend nuk kanë frikë nga shteti, sepse duke qenë pjesë e tij, ata e përdorin shtetin dhe mekanizmat e tij për të dhunuar. 

Andaj e vetmja hapësirë ku ne jemi të sigurtë, janë rrugët. Në rrugë nuk mund të jetojmë përgjithmonë, po ato mund t’i bëjmë si arenë nga ku duhet të kërkojmë dhe të insistojmë që institucionet e shtetit të zbrazen nga dhunuesit. Kjo është e vetmja mënyrë që ne të mos ngecim rrugëve si viktima që nuk kemi se ku të ankohemi.

Dhe kjo nuk është vetëm një formulim metaforik për një sistem që arsyeton ose mbulon dhunën e dhunuesit, por kjo po ndodhë përnjëmend.

Historia e 16 vjeçares nga Drenasi që u publikua nga “Insajderi”, e tregon më së miri këtë. Sesi shkollat që do të duhej të ishin vendi më i sigurt për fëmijët, është strofulla e shumë dhunuesve. Ata “edukojnë” nxënësit duke i rrahur (për çka ka pasur shumë raportime) apo edhe duke i ngacmuar e dhunuar seksualisht. Këta dhunues në shkolla, nuk përfundojnë në burg, por përfundojnë duke u bartur nga një shkollë në shkollën tjetër, sikurse rasti i mësuesit në Gjakovë, që pas raportimit të një nxënësje për ngacmim seksual dërgohet në një shkollë tjetër. Në këtë mënyrë, shteti nuk e ndalon dhunën e nuk e përjashton dhunuesin, por i krijon atij një tjetër oazë për dhunë. Apo sikurse rasti i mësuesit në Drenas, Shkëlzen Xhekaj, që njëherë suspendohet nga detyra pasi raportohet për ngacmim seksual, ndërsa kthehet në vendin e punës, pasi Prokuroria pushon hetimet ndaj tij. 

Viktima ka tërhequr deklaratën, thotë Prokuroria. Por kjo prokurori nuk e merr mundin që të hetojë origjinën e dhënies dhe heqjes së deklaratës. Nuk e heton as vajzën, e cila nëse ka tërhequr deklaratën do të duhej të ndiqej për deklaratë të rrejshme. Por prokuroria nuk guxon ta bëjë këtë. Sepse ajo e din që e mitura nuk është se ka tërhequr deklaratën dhe se ka gënjyer, por në fakt e lejon që të bëhet viktimë e një tjetër dhunuesi.

Dhunuesi i dytë është hetues policor. Vesel Veseli. Ai që do të duhej ta bënte raportin për Prokurorinë, bazuar në deklaratën e së miturës dhe faktet tjera, ia mbyllë rastin mësuesit, dhe fillon ta dhunojë vet. Ky është zëvëndëshef i hetimeve në Policinë e Kosovës dhe dhunues. E përdorë pozitën shtetërore, që të dhunojë. Ai përdorë edhe kamerat e sigurisë në qytet për të shantazhuar një të mitur, e cila nuk guxon as familjes së saj t’i tregojë.

Mësuesi sikur Shkëlzen Xhekaj e polici si Vesel Veseli, e dijnë shumë mirë sesi perceptohet një vajzë e dhunuar në familje, andaj vendosin ta shantazhojën viktimën, me kërcënimin se do t’i tregojnë familjes së saj. Viktima jeton në një shtet që nuk të bënë të ndihesh sigurtë as në familje, as në shkollë, as në Polici e as në spital, nëse përfundon shtatëzënë nga dhunuesi. Ashtu sikurse i ka ndodhur të mitures në Drenas. Ajo, duke ikur nga mësuesi dhunues për të përfunduar si skllave seksi e një Polici, nga i cili ngelë shtatëzënë.

Dhunuesi në këtë vend nuk e ka të vështirë që ta gjejë edhe një mjek, që i ndihmon në abortim. Dhunuesi duke qenë pjesë e shtetit, e ka edhe më të lehtë ta gjej mjekun që gjithashtu është pjesë e shtetit, për ta fshehur aktin e dhunës dhe sklavërimit të një qytetareje. Mjeku është Fehmi Ahmeti, një gjinekolog. Ai e kryen abortin, pa u menduar se po mbulon një krim, sepse në fakt, bashkëpunimi mes tij dhe policit është një vepër e shtetit.

Kjo vepër e shtetit nuk është vepër e jona. E shoqërisë tonë. Dhuna do të bëhet vepër e jona si shoqëri, nëse ne nuk dalim në rrugë për të mbrojtur vetën nga shteti. Për të mos përfunduar si viktima të dhunës së njerëzve të pushtetshëm, duhet të dalim dhe të tregojmë pushtetin tonë në rrugë. Nesër në Prishtinë e pasnesër në Drenas. Në të gjitha rrugët e mundshme, sepse vetëm rrugët janë të sigurta. Shteti nuk është. Dhe këtë nuk duhet vetëm t’ia bëjmë me dije, dhunuesve të pushtetshëm, por duhet t’i shtyjmë që të dalin jashtë. Në rrugë nuk kanë vend, por në burg. Shteti dhe rrugët janë tonat, burgu është për dhunues. Ky duhet të jetë qëllimi ynë, nëse nuk duam që të përfundojmë si viktima të dhunës që bashkëjetojnë me dhunuesit./Insajderi.com