Edi Rama imiton Isa Mustafën – përdor të njëjtën metodë për të akuzuar studentët

Edi Rama imiton Isa Mustafën – përdor të njëjtën metodë për të akuzuar studentët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka eskaluar në një debat televiziv përballë studentëve që po protestojnë për plotësimin e tetë kushteve, kur i ka pyetur ata se si janë pajisur me telefonë të mençur – iPhone.

Teksa po debatonte me studentët në emisionin televiziv “Top Show” në Top-Channel, Rama u tha studentëve se po i marrin iPhonët falas.

“Po iPhonët që i ndezët dhe e ndriçuat sheshin ku i morët. Nuk po flas për njërin nga përfaqësuesit e studentëve i cili i merr falas diku iPhonët”, u tha Rama, studentëve.

E të njëjtën metodë e kishte përdorur edhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kur kishte reaguar ndaj qytetarëve që po iknin nga Kosova në numër të madh më 2016.

Isa Mustafa ishte vënë në thumb të kritikave në kohën e valës së refugjatëve për shkak të një deklarate të tij. Ai kishte thënë se azilkërkuesit kanë iPhone, e Samsunga të shtrenjtë.

“Nuk e kam parë fare të arsyeshme të shkoj në Stacion të Autobusëve. Unë nuk e di se çfarë po ndodh me këto imigrime. Njerëzit që po ikin kanë iPhone, kanë para dhe kanë pasur rroga të mira”, kishte thënë Mustafa. /Insajderi.com