Edi Rama për Flor Binajn: “Gëzuar ditëlindjen sozia ime gazmore”

Edi Rama për Flor Binajn: “Gëzuar ditëlindjen sozia ime gazmore”

Aktori i humorit, që spikati në publik me rolin e paharrueshëm të policit dhe imitimin e Edi Ramës, po feston sot ditëlindjen, dhe pranoi një urim të gjatë prej kryeministrit të Shqipërisë.

Edi Rama i uron ditëlindjen duke lartësuar artin e tij. Ai quan aktorin një ‘djalë king me botë të bukur’ duke na dëshmuar se ai nuk është bezdisur asnjëherë nga imitimi i tij.

“FLORJAN BINAJ është një djalë king, me botë të bukur, i talentuar dhe i edukuar, që mes plot talenteve të ekranit të vogël ka spikatur me sozinë time në shfaqjen më popullore e më kreative televizive sipas meje, Portokallia e rekordeve të frikshme të audiencës televizive!”, shkruan ai.

Kryeministri shprehet se nuk i kupton dot politikanët që mërziten kur vihen në lojë nga komedianë dhe karikaturistë, duke përmendur edhe emra tjerë artistësh ‘lezet dhe burim pozitiviteti për publikun’

“Nuk i kam kuptuar kurrë politikanët e udhëheqësit kur mërziten, e nganjëherë tërbohen nga vënia e tyre në lojë prej komedianëve e karikaturistëve, të cilët kur janë të zotë si Flori e si djemtë e vajzat e Portokallisë, si Sajmiri i Fiksit e i Stopit apo babai i të gjithë brezit të tyre, Agron Llakaj ose Bujar Kapexhiu i vizatimeve satirike, janë një lezet i madh për jetën publike dhe një burim energjish pozitive për konsumatorët e artit të tyre”.

“Arti i tyre ka pasur e ka një fuqi të butë emancipuese e lehtësuese tek ata që i ndjekin dhe Flori është mes atyre që e meritojnë t’u heqësh kapelen, për faktin domethënës se nuk bie në vulgaritetet tipike çedukative të disave brenda atij lloji”.

“Duke i uruar sozisë time gazmore ditëlindjen dhe shëndetin, forcën krijuese e çdo mirësi e mbarësi për veten e për të dashurit e vet, uroj njëkohësisht që energjitë pozitive të Florit e të kolegëve të tij të talentuar të çdo ekrani, ta ushqejnë sa më mirë publikun në këtë kohë posaçërisht sfiduese për të gjithë”, ka përfunduar Rama. /Insajderi.com

#EDHE100💐FLORJAN BINAJ është një djalë king, me botë të bukur, i talentuar dhe i edukuar, që mes plot talenteve të…

Gepostet von Edi Rama am Montag, 12. Oktober 2020