Edi Rama uron Ali Ahmetin për fitoren zgjedhore

Edi Rama uron Ali Ahmetin për fitoren zgjedhore

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në selinë e BDI në Tetovë ka realizuar takim pune me Ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoninë e veriut, Fatos Reka, njofton Insajderi.

Ambasadori Reka përcolli uratat e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, drejtuar Kryetarit Ahmeti për fitoren e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 15 korrikut.

Ahmeti shprehu konsideratën e tij për Kryeministrin Rama dhe falënderoi Ambasadorin Reka për korrektësinë e institucioneve të Shqipërisë dhe të subjekteve shqiptare.

Bashkëbiseduesit e vlerësuan procesin zgjedhor si shembullor dhe tërësisht të rregullt, “siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s dhe në negociata për anëtarësim me Bashkimin Evropian”.

Ahmeti njoftoi Ambasadorin Reka për ecurinë e zhvillimeve pas-zgjedhore me ç’rast theksoi nevojën për konsolidim të shpejtë të institucioneve të dalura nga zgjedhjet dhe respektimin e votës dhe vullnetit të qytetarëve.

“Bashkimi Demokratik për Integrim synon të realizon premtimet zgjedhore, përfshirë edhe angazhim maksimal në negociatat me Bashkimin Evropian bashkërisht edhe me rimëkëmbjen ekonomike, luftë të pakompromis për sundim të mirëfilltë të ligjit dhe drejtësi joselektive, përkujdesje për shëndetin publik, por edhe realizim i të gjitha pikave nga programi zgjedhor”.

Ahmeti gjithashtu tha që “nuk ka kthim pas nga vijat e kuqe, Marrëveshjet e Ohrit, Prespës dhe e fqinjësisë së mirë por edhe zotimet tona zgjedhore”.

Ahmeti falënderoi autoritetet shqiptare për mbështetjen e dhënë dhe partneritetin rajonal”, thuhet në njoftimin e BDI-së./Insajderi.com